TIRANË- Sot është prezantuar sistemi i ri Unik i Gjobave, përmes të cilit gjobat do të bëhen plotësisht digjitale, të pagueshme, të apelueshme dhe të gjurmueshme. I pranishëm në aktivitet ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se sistemi i ri synon t’i japë fund epokës së gjobave në letër dhe të krijojë një proces më transparent dhe të kontrollueshëm.
Rama sqaron se me sistemin e ri, qytetarët do të marrin njoftim të menjëhershëm në e-Albania dhe do të mund të kryejnë pagesa apelim të gjobave, drejtpërdrejt nga telefoni. Kryeministri theksoi se çdo gjobë do të ketë një numër unik, bazë të qartë ligjore dhe do të identifikohen të gjithë punonjësit përgjegjës për vendosjen e saj.
Më tej, kreu i qeverisë bëri të ditur se hapi i radhës është krijimi i Regjistrit Kombëtar të Gjobave, teksa shtoi po ashtu se së shpejti efektivët e policisë dhe inspektorët në terren do të pajisen me kamera trupore që do të monitorojnë sjelljen ndaj qytetarëve.
"Do të bëhet shumë më e lehtë që gjobat të paguhen drejtpërdrejtë nga telefoni dhe të apelohen po ashtu në mënyrë të drejtpërdrejte. Nuk ka më proces gjobitje pa gjurmueshmëri, garantohet një numër unik, bazë ligjore e qartë për të gjithë dhe identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjobat gjë që jep mundësi për drejtuesit e institucioneve, të shohin si në një hartë të gjitha proceset dhe sjelljet e burimeve të tyre njerëzore.
Hapi tjetër është krijimi i regjistrit kombëtar të gjobave, që praktikisht përmbyll një proces jo të lehtë për hir të së vërtetës, se ka qenë një punë e gjatë për të ardhur deri këtu, dua të shtoj se së shpejti do të nisë edhe zbatimi i atij projektit që kemi bërë publik, për pajisjen e të gjithë punonjësve të policisë dhe inspektorëve të terrenit me kamera trupi, që do të jenë aktive gjatë gjithë kohës dhe do jenë pjesë e sistemit të Inteligjencës Artificiale që kemi ndërtuar në qendrën e madhe të monitorimit. Kjo do të bëjë që në kohë reale, sipas kodeve të përcaktuara të ndiqet aktiviteti i çdo inspektori në terren, të shihet vija e sjelljes e çdo punonjësi të policisë dhe të vlerësohen në kohë reale edhe situatat kur është nevoja për mbështetje e ndihmë
Krijojnë kushte tërësisht të reja për të përmirësuar në mënyrë të shpejtë dhe shumë të ndjeshme gjithë parametrat e sjelljes së administratës në raport me qytetarin dhe patjetër që krijojnë kushte të reja për të vlerësuar gjithë parametrat e tjerë të punës, lëvizjet, shpenzimet për karburantin, qëndrimet aktive në punë dhe pasive e me radhë.
Duhet që të gjithë të merrni masa që zbatimi i gjobave online dhe jo me letra të realizohet një orë e më parë e të mos ketë justifikime për mungesë tabletash, probleme teknike e me radhë", tha Rama.