Aktualitet

Erzen Breçani shpallet i pafajshëm, akuzohej për pastrim parash dhe përkrahje të djalit të tij në trafik droge

Çështja lidhej me aktivitetin e djalit të tij, Eralbi Breçanit, në trafikun e drogës, ku bashkëpunonte me kunatin e tij, Ervin Matën.

zh.ll
Erzen Breçani shpallet i pafajshëm, akuzohej për pastrim parash
Eralb Breçani dhe Erzen Breçani

TIRANË- Gjykata Penale e Tiranës ka shpallur të pafajshëm ish-zv.drejtorin e policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i cili po hetohej për pastrim parash dhe përkrahje të autorit të krimit. Çështja lidhej me aktivitetin e djalit të tij, Eralbi Breçanit, në trafikun e drogës, ku bashkëpunonte me kunatin e tij, Ervin Matën.

Dosja u hetua fillimisht nga SPAK në kuadër të operacionit "Metamorfoza", por Gjykata e Posaçme (GJKKO) shpalli moskompetencën dhe ia kaloi çështjen për gjykim Gjykatës së Tiranës. Konkretisht, Breçani akuzohej se kishte investuar para të ardhura nga trafiku i drogës në ndërtimin e hidrocentralit “HEC Drita Energy” në Tropojë. Ish-polici ishte arrestuar më 20 nëntor të vitit 2023, ndërsa në korrik të vitit 2024 doli nga qelia dhe u la në “arrest shtëpie”.

Breçani u arrestua pas zbardhjes së bisedave në SKY ECC, ku fliste me djalin e tij Eralbi Breçanin, i cili ishte shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar kokaine, bashkë me Ervin Matën. Eralbi Breçani, i akuzuar për trafikimin e 446 kilogramëve kokainë, ndodhet në qëli pasi u vetëdorëzua në Spanjë në 2 prill të këtij viti dhe u ekstradua më 13 qershor 2026. /ZËRI

MOS HUMB