TIRANË- Temperaturat disa gradë nën zero kanë përfshirë verilindjen e vendit gjatë orëve të para të mëngjesit.
Situata më shqetësuese paraqitet në bashkinë e Tropojës, ku një pjesë e bazamentit të rrugës në segmentin Bajram Curri-Cernicë është shembur. Pas vlerësimit teknik, është konstatuar rrezik për trupin e rrugës dhe sigurinë e përdoruesve të saj, duke detyruar autoritetet të bllokojnë qarkullimin për shkak të rrezikut për drejtuesit e automjeteve.
Temperatuarat kanë pësuar ulje të ndjeshme në Kukës, duke zbritur nga 4 gradë Celsius në qytet deri në -3 gradë në zonat e thella të banuara, mbi 900 metra mbi nivelin e detit. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht në zonat e thella malore.
Problematika janë evidentuar edhe në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Peshkopinë. Ndërkohë, Rruga e Kombit vijon të jetë nën monitorim dhe deri më tani qarkullimi i automjeteve në këtë aks paraqitet pa probleme.
Ndërkohë, mësohet se në segmentet ku janë konstatuar vështirësi, kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve ndodhen në terren, duke kryer punimet për pastrimin e akseve dhe shpërndarjen e kripës për të parandaluar formimin e ngricave./ZËRI