TIRANË- Kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 11 majit 2025 ka marrë miratimin e Këshillit të Legjislacionit. Vendimi i hap rrugë vijimit të procedurave parlamentare për ngritjen e këtij komisioni, i cili do të shqyrtojë ligjshmërinë e veprimtarisë së institucioneve shtetërore gjatë procesit zgjedhor.
Kërkesa e opozitës vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 1 qershor miratoi ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet parlamentare, ndërsa rrëzoi kërkesën për ngritjen e një komisioni tjetër që do të hetonte çështjen McGonigal.
Pas miratimit në Këshillin e Legjislacionit, vendimi do t'i përcillet Konferencës së Kryetarëve ku pritet të marrë miratimin përfundimtar.
Në fokus të hetimit parlamentar do të jetë kontrolli i ligjshmërisë së veprimeve të institucioneve shtetërore, si dhe verifikimi nëse burimet dhe asetet publike janë përdorur për qëllime elektorale gjatë fushatës dhe zgjedhjeve të 11 majit 2025./ZËRI