Politikë

Buxheti 2027 dhe paketa fiskale në votim të enjten, zbardhet agjenda e Kuvendit

Seanca plenare do të nisë në orën 10;00 dhe do të ketë gjithsej 19 pika në rendin e ditës sipas urdhrit të firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

M.K.
Buxheti 2027 dhe paketa fiskale në votim të enjten, zbardhet agjenda e
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Kuvendi do të votojë të enjten më 26 nëntor projektbuxhetin e vitit 2027, të cilin mazhoranca e ka cilësuar si më të madhin në historinë e vendit. Me shpenzime të parashikuara prej 976 miliardë lekësh buxheti do të shqyrtohet në të njëjtën seancë me ndryshimet në pesë ligjet që përbëjnë paketën fiskale.

Seanca plenare do të nisë në orën 10;00 dhe do të ketë gjithsej 19 pika në rendin e ditës sipas urdhrit të firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Përpara votimit të buxhetit deputetët do të shqyrtojnë ndryshimet në ligjet për tatimin mbi të ardhurat TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.

Projektbuxheti parashikon 907 miliardë lekë të ardhura dhe 202 miliardë lekë investime publike. Në të janë përfshirë gjithashtu rreth 24 miliardë lekë për pensionistët si dhe financimi i skemës së re të mbështetjes për fëmijët deri në moshën 5vjeçare.

Pjesë e seancës do të jenë edhe dy aktet normative të miratuara nga qeveria më 28 tetor që lidhen me ndryshimet në ligjin për tubimet dhe dëmshpërblimin e subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë protestave.

Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu projektligjet për tregjet e kriptoaseteve, donacionet dhe sponsorizimet, mbikëqyrjen e institucioneve financiare, kontabilitetin në sektorin publik, si dhe ngritjen e Liceut Francez të Korçës.

Rendi i plotë i ditës së seancës plenare të 26 nëntorit, ora 10:00

1.Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.11.2026.
2.Njoftime.
3.Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”.
4.Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
5.Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
6.Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’, të ndryshuar”.
7.Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
8.Projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”.
9.Projektligji “Për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 të memorandumit të mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual, bërë në Paris, më 26.1.1982, aderuar me ligjin nr. 9852, datë 26.12.2007”.
10.Akti normativ nr. 5, datë 28.10.2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001, ‘Për tubimet’”.
11.Akti normativ nr. 6, datë 28.10.2026, “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”.
12.Projektligji “Për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë ‘Liceu Francez i Korçës’”.
13.Projektligji “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”.
14.Projektligji “Për tregjet e kriptoaseteve”.
15.Projektligji “Për donacionet dhe sponsorizimet”.
16.Projektligji “Për kontabilitetin në sektorin publik”.
17.Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998, ‘Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit’, të ndryshuar”.
18.Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 174/2026 ‘Për miratimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar ngritur me vendimin nr. 169/2026 të Kuvendit të Shqipërisë, për fazën e dytë të Reformës Administrative-Territoriale në Republikën e Shqipërisë’”.
19.Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës./ZËRI

MOS HUMB