BRUKSEL- Sot në Bruksel do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor. Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen me krerët e qeverive dhe shteteve të 27 vendeve anëtare të BE-së. Ta pranishëm do të jenë Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë të BE-së, të përfshirë në përgatitjet për samitin kanë bërë të ditur se Serbia nuk do të jetë e pranishme. Ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë dhe kryetari i Kuvendit, Aleksandar Çupiç, nuk do të marrë pjesë në këtë takim, ndërsa zyrtarët e BE-së vlerësuan se mungesa e Çupiçit është e kuptueshme, duke pasur parasysh tranzicionin politik në Beograd.
Ky është samiti i dytë që mbahet në Bruksel pa përfaqësues të Serbisë, pasi dhjetorin e kaluar presidenti i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bojkotoi samitin.
Çfarë pritet në samit?
-Perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, përshpejtimi i reformave dhe integrimi gradual në tregun e përbashkët evropian, pritet të jenë në fokus të takimit.
-Gjithashtu, pritet të diskutohet edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimin.
-Forcimi i sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe përballja me kërcënimet kibernetike dhe ato hibride, pritet të jetë një tjetër temë e rëndësishme në diskutimet e këtij samiti.
Samiti i fundit ndërmjet liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u mbajt në qershor të këtij viti në Tivat të Malit të Zi./ZËRI