Politikë

Media malazeze: Spajiç akuzon Shqipërinë dhe Serbinë për “destabilizim” të Malit të Zi! Reagon ministri Hoxha: Nuk jemi pjesë e asnjë skenari

Në artikullin e publikuar, media shkruan se duke iu referuar një burimi të lartë kryeministri i Malit të Zi, kur foli për destabilizimin e vendit, e kishte fjalën për një koordinim hibrid mes Shqipërisë dhe Serbisë. 

l.k
Media malazeze: Spajiç akuzon Shqipërinë dhe Serbinë
Milojko Spajiç dhe Ferit Hoxha

TIRANË- Një deklaratë e kryeministrit malazez, Milojko Spajiç, në rrjetin social X ka tërhequr vëmendjen e medias vendase “Vijesti”.

Në artikullin e publikuar, media shkruan se duke iu referuar një burimi të lartë kryeministri i Malit të Zi, kur foli për destabilizimin e vendit, e kishte fjalën për një koordinim hibrid mes Shqipërisë dhe Serbisë. 

“Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet për të cilat kryeministri Milojko Spajić (Lëvizja ‘Evropa Tani’) bëri fjalë në një postim në rrjetin social ‘X’, ku foli për veprime hibride, mëson ‘Vijesti’ nga një burim i lartë”, shkruan media.

Spajiç shkruante pak ditë më parë se zyrtarë të lartë të dy vendeve të rajonit, por pa përmendur emra, po kryejnë veprimtari të koordinuara për destabilizim lidhur me rrugën e integrimit të Malit të Zi në BE.

DEKLARATA E MILOJKO SPAJIÇ: “Kemi informacione serioze operative të sigurisë se mbyllja e paralajmëruar e kapitujve të rinj të negociatave do të shoqërohet me veprimtari të koordinuara hibride, ku janë të përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit. Sipas informacioneve tona, këto aktivitete synojnë destabilizimin e Malit të Zi, me mbështetjen e pritshme të disa aktorëve politikë dhe një pjese të skenës mediatike në vendin tonë. Ne jemi në dijeni të këtyre synimeve dhe e dimë se cili është qëllimi i tyre. Përpjekjet për destabilizim nuk do ta ndryshojnë kursin tonë dhe nuk do ta ndalin rrugën evropiane të Malit të Zi, e cila është më e madhe se interesi i përditshëm i çdo strukture politike.”

Këto deklarata kanë nxitur reagimin zyrtar të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Përmes një shkrimi të gjatë, Hoxha theksoi se nuk ka asnjë akuzë zyrtare ndaj Shqipërisë dhe se vendi ynë mbetet i përkushtuar ndaj stabilitetit rajonal dhe partneritetit strategjik në NATO.

“Një sqarim përpara se të bëhemi pjesë e zhurmës apo të ndezim zjarre të panevojshëm, që duan shumë më tepër kohë për t’u shuar. Kam parë deklaratën e Kryeministrit të Malit të Zi, @MickeySpajic, për përfshirjen e pretenduar të zyrtarëve nga “të paktën dy vende të rajonit” në veprimtari të koordinuara hibride.

Kam parë gjithashtu interpretimet dhe aludimet e ndryshme mediatike që kanë pasuar. Raportimet e mediave janë pjesë e debatit publik. Ne i lexojmë dhe i analizojmë me vëmendjen e duhur, por i marrim me rezervën e nevojshme, aq më tepër kur përmbajnë interpretime të ndryshme apo kontradiktore. E

dhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj #Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në #NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në #BE, dhe as askund tjetër. Shqipëria dallon sepse bën pikërisht të kundërtën: investon çdo ditë në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian e euroatlantik.

Hamendësimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet, dhe këtë kam bërë edhe në këtë rast, në komunikimet që kam pasur me ZvKM dhe MPJ, Ibrahimović, si dhe me ZvKM, Nik Gjeloshaj.

Kjo duhet mbajtur parasysh edhe këtu tek ne. Aktorët e ndryshëm, përfshirë ata politikë, janë të mirëpritur të marrin nga MEPJ çdo informacion të nevojshëm për të shmangur debate të panevojshme dhe, mbi të gjitha, për të mos lejuar që politika e jashtme e vendit të kthehet në objekt apo instrument të debateve dhe qasjeve partiake të brendshme. Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi.”, shprehet ai.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB