Aktualitet

SKANDALI me mikrokreditë, guvernatori Gent Sejko do të pyetet sot nga SPAK

Nga skema e mashtrimit me mikrokreditë janë të përfshirë mijëra qytetarë, që rrezikojnë të humbasin pronat e tyre

E.K
SKANDALI me mikrokreditë, guvernatori Gent Sejko do të pyetet sot nga
Gent Sejko

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko do të merret sot në pyetje nga Prokuroria e Posaçme, në lidhje me skandalin e mikrokredive, që ka cënuar pronat e mijëra qytetarëve shqiptarë. Burime bëjnë me dije se Sejko do të pyetet nga SPAK paraditen e sotme, pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën për çështjen, dhe dosja i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme.

Dosja që përfshin dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë po hetohet për akuzën e shpërdorimit të detyrës, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. ZËRI prej kohësh ka shprehur shqetësimin e dhjetra qytetarëve, që përveç interesave të larta, janë përballur dhe me bllokimin e pronave të tyre, pas shitjes së kredive në kompani të tjera financiare.

Skema është kallëzuar fillimisht në Prokurorinë e Tiranës nga Ministria e Drejtësisë, dhe tashmë pas më shumë se dy vitesh, dosja e hetimeve do të jetë në dorë të SPAK.

Në një konferencë për mediat pak ditë më parë, Gent Sejko e pranoi skemën e abuzimin me mikrokreditë dhe shitjen e tyre nga një kompani në tjetrën, por pretendoi se ndalimi i mashtrimit nga këto institucione është kompetencë që me ligj i njihet vetëm Prokurorisë dhe gjykatave, e jo Bankës së Shqipërisë. Por vetë nuk ka sqaruar nëse ka bërë ndonjë referim, edhe pse pretendon se përgjatë 8 viteve ka marrë 85 ankesa nga qytetarët. 

Guvernatori sqaroi se BSH kërkoi ndryshimin e ligjit për të shitur kreditë me probleme për shkak se sistemi bankar kishte një nivel të lartë të kredive të këqija, e më pas vendosi që të pezullonte licencës pas denoncimeve të marra. Po sipas tij, shërbimi përmbarimor nuk është objekt kontrolli i Bankës së Shqipërisë ndaj edhe nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë, e as për të falur këto kredi që sipas tij do të regjistronin në precedent të rrezikshëm.

ZËRI prej kohësh ka nisur një seri shkrimesh për skandalin me mikrokreditë, ku duket të jetë i përfshirë dhe vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, i cili nuk ka vendosur një shifër tavan për interesat me të cilat operojnë mikrokreditë. Por jo vetëm kaq! ZËRI ka zbuluar se një prej kompanive që i janë shitur një pjesë e mikrokredive, është e lidhur me kunatin e Sejkos, ndërkohë që Banka e Shqipërisë, pavarësisht interesimit të vazhdueshëm të mediave, nuk ka dhënë asnjë sqarim mbi skandalin ky dyshohet që të jetë e përfshirë.

Në skenë përveç kunatit, ka dalë dhe emri i bashkëshortes së Gent Sejkos. Elona Sejko (Gjipali, teksa ka qenë drejtore te "Tirana Bank", ka shitur kredi me firmën e saj tek Elda Ibron, pronare e Micro Credit Albania. Janë 5000 kontrata kredish që kaluan tek “Micro Credit Albania”, për të cilat nuk dihet nëse kreditorët janë informuar apo jo.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB