
TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka dërguar në Komisionin e Ligjeve në Kuvend skandalin e mikrokreditë të denoncuar nga "ZËRI". Pas një pyetje të drejtuar nga Damian Gjiknuri, i cili kërkoi më shumë informacion nga ministri lidhur me skandalin, Manja ka bërë me dije hapat që ka ndërmarrë për të denoncuar zhvatjen e qytetarëve. Në fjalën e tij, ministri bëri me dije se çështjen e ka ndjekur në rrugë ligjore, por ka hasur në një problem. Të paktën 11 përmbaruesëve që u ka hequr licensën brenda një viti nuk u ka marrë dot arkivat e dosjeve. Ndaj edhe propozon ndryshimin e ligjit që edhe përmbaruesit, ashtu si noterët, në rast heqje license, të dorëzojnë dosjet që kanë në arkivat e tyre. Për vetëm një kompani private, Manja tregon se 6000 dosje i ka gjetur në bodrumin e Ministrisë së Drejtësisë. Megjithatë thekson se skandalin e ka adresuar në të gjitha instancat ligjore, duke zbuluar se aktualisht ka 2 dosje. Njëra po hetohet nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa tjetra po hetohet nga Prokuroria e Tiranës.
PJESË NGA PRONONCIMI NË KOMISIONI I LIGJEVE:
Gjiknuri: Nuk them që të ndash me ne sekretet e hetimit, një nga këto gjëra është ajo çështje që ka prekur shumë njerëz, prona dhe cënon besimin tek institucionet financiare. Po ra besimi na bie besimi në kapitalizëm.
Manja: Edhe unë në Komisionin e Ligjeve vij dhe raportoj për rekomandimet e KLP për Prokurorinë. Janë rekomandime, në fund të fundit, qeveria ka një vizion të vetin për luftën ndaj kriminalitetit dhe korrupsionit. Në fund të fundit rekomandime janë. Është pushtet i pavarur. Ne si qeveri japim suportin dhe mbështetjen. Pra jemi një pushtet që e ndihmojmë, Kuvendi ndoshta ka një rol për të luajtur. Këto rekomandime ne përpiqemi t'i çojmë tek drejtësia. Këto format e reja të krimit. Po është e vërtetë ka sjellë në skenë një numër të madh shkeljes penale që një pjesë e shteteve në Europë. Institucionet e mikrokredive dhe shërbimi përmbarim nuk dua të jap shumë detaje sepse aktualisht janë 2 çështje që po ndiqen penalisht, njëra në Prokurorinë e Tiranës, njëra i është përcjellë SPAK, tjetra po hetohet akoma në Prokurorinë e Tiranës. Unë di të them këtë, e kemi ndjekur me shumë përparësi këtë problem. Ka qenë një nga prioritetet e mia të punës si ministër që në ditën e parë. 11 licensa janë të hequra për 1 vit se nuk po flas për pezullimin. Përpos heqjes së licensës janë kallëzuar në prokurori. Jam vënë në dispozicion të hetimit që ky problem të marrë përgjigje ligjore sepse ka vite që po rëndon në shpatullat e qytetarëve. Problemi që kemi është që të gjithë këto me licensa të hequra, nuk kanë dorëzuar as arkivat. Nuk na vihen në dispozicion. Duam të ndryshojmë ligjin që kjo të bëhet si noteria që ministria të marrë dosjet. Në ministrinë e Drejtësisë kam gjetur 6 mijë dosje të një kompanie përmbarimore private, të ZIG-ut i kam gjetur në bodrumet e ministrisë së Drejtësisë. E kam adresuar si problem në nivel ligjor.
Por çfarë është ky skandal për të cilin flitet pak?
Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales.
Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!/ZËRI