POGRADEC-Një hetim ka nisur për tre mjekë të martenitetit në Pogradec pas ndarjes nga jeta të Marjana Karolina Bunajt, 36-vjeçares shtatzënë që ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Tiranës. Sipas policisë, procedimi ka nisur për mjekët, Blerta Delijan, 35 vjeçe, banuese në Elbasan, Anri Topi, 40 vjeç, dhe Saimir Çela, 34 vjeç, të tre ushtronin detyrën e mjekut në maternitetin e Pogradecit.
Policia njofton se pas ekzaminimit nga tre mjekët, 36-vjeçarja është nisur me autoambulancë në Tiranë, por gjendja e të ndjerës u përkeqësua rrugës dhe ajo u dërgua në maternitetin e Elbasanit, ku u konstatua se kishte humbur jetën.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: B. D., 35 vjeçe, banues në Elbasan, A. T., 40 vjeç, dhe S. Ç., 34 vjeç, të dy banues në Pogradec, me detyrë mjekë në maternitetin e Pogradecit. Mbrëmjen e datës 30.08.2026, është paraqitur në martenitetin e Pogradecit, në gjendje jo të mirë shëndetësore, shtetasja M. K., 36 vjeçe, 7 muajshe shtatzënë.
Pas ekzaminimit nga këta tre mjekë, 36-vjeçarja është nisur me autoambulancë, për ndihmë mjekësore të specializuar në një maternitet në Tiranë, por duke qenë se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë rrugës, ajo është dërguar në maternitetin e spitalit të Elbasanit, ku u konstatua se kishte humbur jetën.
Ngjarja e rëndë u regjistrua ditën e djeshme 31 gusht ku sipas të dhënave paraprake, 37-vjeçarja dyshohet se mund të ketë pasur një hemorragji të brendshme. Pritet që trupi i viktimës t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore. Ndërkohë familjarët e të ndjerës kanë ngritur dyshime për mënyrën se si është menaxhuar situata në maternitetin e Pogradecit dhe kanë kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave./ZËRI


