TIRANË- Lëvizje të reja janë bërë në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, ku ndryshimet kanë prekur strukturat drejtuese në Korçë dhe Elbasan.
Mësohet se Gëzim Zhupaj, drejtuesi i deritanishëm i kufirit duke qëndruar në këtë detyrë për rreth 2 vite, është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku do të mbajë detyrën e shefit të sektorit. Ndërkohë, në vendin e tij është emëruar Luigj Vathi. Ai ka drejtuar më herët Drejtorinë Vendore të Policisë në Berat.
Ndryshimet kanë prekur edhe Policinë e Elbasanit. Kastriot Skënderi është emëruar drejtor i ri i Drejtorisë Vendore të Policisë së këtij qarku, duke zëvendësuar Fatmir Hoxhën. Skëndëri, ka mbajtur më herët disa poste drejtuese në strukturat e uniformave blu.
Lëvizjet në Korçë dhe Elbasan vijnë në kuadër të ndryshimeve të fundit në strukturat e Policisë së Shtetit, ndërsa sipas informacioneve, rokada të tjera në drejtimin e policive vendore pritet të ketë edhe në qarqe të tjera të vendit./ZËRI