Ekonomi

Shkeljet e MCA/ Në SPAK për shpërdorim detyre? Gent Sejko: S'kam informacion. Nuk i falim dot kreditë e këqija

Gent Sejko e ka pranuar skandalin, por pretendon se ndalimi i mashtrimit nga këto institucione është kompetencë që me ligj i njihet vetëm Prokurorisë dhe gjykatave, e jo Bankës së Shqipërisë.

k.m.
Shkeljet e MCA/ Në SPAK për shpërdorim detyre? Gent Sejko:
Gent Sejko

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka dalë në një konferencë për shtyp për të adresuar skandalin e denoncuar nga ZËRI lidhur me institucionin e mikrokredisë, "Micro Credit Albania". Për herë të parë me zë dhe me figurë, kreu i Bankës së Shqipërisë ka reaguar për skandalin e mashtrimit me kreditë, i cili ka rrënuar financiarisht mijëra qytetarë shqiptarë, dhjetra prej të cilëve kanë denoncuar pranë ZËRI dramën sociale që kjo skemë mashtrimi u ka shkaktuar. Në fjalën e tij, Sejko e ka pranuar skandalin, por pretendon se ndalimi i mashtrimit nga këto institucione është kompetencë që me ligj i njihet vetëm Prokurorisë dhe gjykatave, e jo Bankës së Shqipërisë. Por vetë nuk ka sqaruar nëse ka bërë ndonjë referim, edhe pse pretendon se përgjatë 8 viteve ka marrë 85 ankesa nga qytetarët. 

Por si nisi kjo skemë? Guvernatori sqaron se BSH kërkoi ndryshimin e ligjit për të shitur kreditë me probleme për shkak se sistemi bankar kishte një nivel të lartë të kredive të këqija, e më pas vendosi që të pezullonte licencës pas denoncimeve të marra. Po sipas tij, shërbimi përmbarimor nuk është objekt kontrolli i Bankës së Shqipërisë ndaj edhe nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë, e as për të falur këto kredi që sipas tij do të regjistronin në precedent të rrezikshëm.

“Pavarësisht se masa më e fundit mbikëqyrëse në fuqi për subjektin MCA e ka vendosur atë në kushtet e një “revokimi faktik” të licencës, pra duke i pamundësuar kryerjen e çdo aktiviteti për të cilin është licencuar si listuar më sipër, qëndrimi i Bankës së Shqipërisë për të mos proceduar deri më tani me revokimin formal të licencës, lidhet me kujdesin për të shmangur problemet sociale që do ta shoqëronin këtë vendimmarrje. Duke revokuar licencën, MCA do të ishte jashtë perimetrit të mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë. Pra, subjekti nuk do të raportonte më në Regjistrin e Kredive dhe nuk do të vijonte komunikimin me Bankën e Shqipërisë, duke krijuar kështu situata më të rënda në raport me detyrimet e kredimarrësve. Konkretisht, edhe në rast se ata do ta paguanin tërësisht detyrimin, ai do të mbetej i papërditësuar në Regjistrin e Kredive, duke ruajtur padrejtësisht një historik joperformues që do t’i penalizonte kredimarrësit. Po ashtu, revokimi i licencës e bën të pamundur për Bankën e Shqipërisë të trajtojë ankesat e klientëve të MCA-së, pasi kjo e fundit nuk do të mbikëqyrej më nga Banka e Shqipërisë dhe, duke mos pasur detyrim për llogaridhënie do të krijonte situata më të rënda për kredimarrësit,”-u shpreh ai. 

Ndërsa sa i përket lajmit që aktualisht do të hetohet nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për "shpërdorim detyre", shtoi se nuk ka asnjë informacion zyrtar, ndaj nuk mund të flasë për një shkelje që ka bërë, pasi nuk është në dijeni të detajeve të çështjes. Por nuk e mohoi (e as pohoi) që të jetë kërkuar në SPAK për të dhënë informacione lidhur me rastin në fjalë dhe jo vetëm.

PJESË NGA KONFERENCA E SEJKOS: 

Kur është sinjalizuar për herë të parë Banka e Shqipërisë për MCA? A keni një numër të saktë të qytetarëve që kanë rënë pre e mashtrimit? A jeni thirrur ju apo ndonjë zyrtar tjetër i BSH-së në SPAK? Aktualisht licensa e MCA është pezulluar, çfarë iu pengon që t'i hiqni licensën?

Gent Sejko: Të falenderoj për pyetjen se më jep një mundësi sqarimi të informacioneve të mediave online, mirë është që të sqarohet historia e operimit me mikrokreditë. Dua të sqaroj para se të detajoj që problematika e mikrokredive dhe kompaninë specifike lidhet me mbledhjen e kredive të këqija rreth vitit 2010, pas krizës financiare globale të vitit 2008. Ne u përballëm në vitin 2014-2015 me një protofol kredish të këqija, pra 25% e kredive ishin të pakthyera, ishte shifra më e lartë në rajon, në këto kushte me rekomandim të Bankës Botërore bëmë një plan urgjent për rikuperimin e kredive të këqija. Një nga pikat ishte edhe fshirja e kredive nga bilancet, e ka bërë Serbia dhe Greqia. Në këto kushte ishim të detyruar që të licensonim disa kompani që ishin në treg, ose disa të tjera. Nuk ishte vetëm kjo kompani, por edhe të tjera. BSH i ka mbikqyrur kompanitë që kanë këtë aktivitet. Prakisht nuk kemi informacion zyrtar nga Prokuroria dhe nga SPAK. Nuk kam një informacion zyrtar që të shpjegoj se përse ndodh lidhja e shpërdorimit të detyrës.

Ne kemi mbikqyrur brenda kërkesave me disa ekzaminime dhe kemi marrë masat sipas kërkesave dhe shkeljeve të konstatuara. Gjetje dhe shkeljet kanë qenë brenda kontekstit që ka Banka Qendrore që kanë të bëjnë me rregullime dhe nuk kanë lidhje me mashtrimin financiar sepse nuk kemi atribut. E bën Prokuroria dhe gjykatat me vendime. Banka ka setin e saj rregullativ dhe i atribuohet. Bazuar në shkeljet që ka parë ka marrë edhe masa për pezullimin e licensën, pse nuk është revokuar licensa? Nuk është revokuar sepse do të nxirrte portofolin e klientëve jashtë regjistrit të kredisë të klientëve, të cilët jo të gjithë janë performues, një pjesë paguajnë, një pjesë jo. Do të krijohej preceptimi që kreditë falen. Do të krijonte një boomerang për të rritur kreditë me probleme edhe në sistemin bankar. Ne i ulëm nga 25% në 4.7%, që është një tregues shumë i mirë. Do të sillte problematika të tjera që ata që kanë paguar do të mbeteshin të listuar për keq, të tjerët nuk do të paguanin. Problematika nuk do të zgjidhej. Shqetësimi ngrihet për faktin se revokimi i licensës nuk do të ndihmonte qytetarët sepse borxhi është titull dhe zgjidhet me procedura përmbarimore. Që nga momenti që titulli qëndron, revokimi i licensës nuk do të kishte asnjë lehtësim për këta klientë që kanë probleme. BSH ka marrë masa brenda kërkesave të saj ligjore në fuksion të ndihmesës së klientëve. Ankesat që kanë ardhur tek ne lidhen me procedurat përmbarimore, ne kemi marrrë rreth 85 kërkesa në total për këtë kompani. Vetëm 2 vitet e fundit, kemi pasur 35 ankesa që lidhen me procedurat përmbarimore, nuk ka banka tagrin.

Përcaktohet me vendim gjykate. Procesin nuk e zgjidhim ne si Bankë Qendrore. Kam biseduar me ministrin e Drejtësisë për të bërë një përcaktim më të saktë ligjor për ligjin e procedurës përmbarimore, ose ligjin për fajdet. Konkretisht në atë që ju ngrini dhe unë lexoj ka të bëjë me këtë proces, nuk ka të bëjë me të drejtën dhe detyrime të Bankës së Shqipërisë. Banka ka marrë dy vendime në kohë, ka vënë një kufi maksimal për penalitetet, që është niveli 30%. Ka caktuar edhe normën e interesit, për të kufizuar normën e klientëve. Kjo është bërë në mënyrë rregullative dhe duhet që parlamenti ta përkthejë në ligj. Praktikisht revokimi i licensës nuk do të bënte që të mos ndiqeshin këta klientë. 100 mijë klientë nuk janë ata që kanë ankesa, natyrisht po t'i falej borxhi do të ishin të lumtur po të merrej një amnisti, por nuk e bën Banka. Numri i klientëve nuk është 100 mijë, mund të jenë të prekur, por numri i klientëve që ankohen dhe kanë problematika pas proceseve në Gjykatë është shumë më i vogël. Nuk kam një numër të saktë, por shifra zyrtare është 85 ankesa në harkun e 8 viteve, dhe 35 në 2 vitet e fundit. Ankesat që kanë lidhje sociale që kanë lidhje me pamundësi pagese, prapë nuk kemi mundësi që t'i zgjidhim, janë çështje sociale. Kontrata e kredisë është titull dhe nëse nuk respektohet dërgohet në gjyq. Informacioni që marr më surprizon që të lidhësh këtë situatë me shpërdorim detyre. Më duket pak e tepërt. Me një informacion më të saktë ne jemi të hapur për transparencë me të gjithë institucionet, për përmirësimin e kuadrit ligjor sepse është një problem social për ata që e kanë këtë problem se ne nuk e neglizhojmë dot. Por jo vetëm Banka, por duke koordinuar punën më disa institucione duke përcaktuar procedurat më të mira për klientët. 

Duhet theksuar se ky funksion për këto kompani që kanë blerë borxhet e këqija është për të ruajtur kursimet e qytetarëveë. Kursimet janë shumë herë më shumë. Depozitat e shqiptarëve janë mbi 10 mld euro. Në rast se cënohet stabiliteti financiar, dhe krijojmë një precedent mospagese do të përballemi me situatën që kishim në vitin 2015.

Të shkëpusësh elementë të veçantë dhe ta prezantosh si problem, kjo është një keqkuptim i madh. Të keqkuptosh rolet dhe ti atribuuosh BSH një rol që nuk është i saj, ky është një keqkuptim i madh. E ritheksoj se detyrimi i BSH është stabiliteti financiar. Çdo aktivitet e kemi riparë. është shumë i rëndësishëm sqarimi i publikut, sepse duke qenë të paqartë në nivel financiar, ndaj do bëj një fushatë shumë intensive për edukimin financiar në bashkëpunim me bankat. Do të sqaronte të gjithë dhe nuk do krijonte kakovoni. Banka Qendrore ka këto objektiva. Jemi lajmëruar për herë të parë nga Raiffasien, prapë ka të bëjë me shkresat përmbarimore, prapë nuk ka të bëjë me BSH. Jemi të hapur për të sqaruar. Kjo është e paqartë nga shkrimet, pse dhe nga kush është bërë. Ne jemi të hapur për të dhënë të gjithë informacionin e nevojshëm parlamentit dhe gjithë grupeve të interesit. Më 29 maj do të jemi në parlament dhe shpresoj që ta sqarojmë edhe njëherë në detaje se ku qëndron roli i detyrimeve të Bankës së Shqipërisë./ZËRI 

Poll

MOS HUMB