Aktualitet

U njoftuan që në 2019! BSH dhe Gent Sejko "mbyllën sytë" para SKANDALIT të MCA

k.m.
U njoftuan që në 2019! BSH dhe Gent Sejko "mbyllën
Gent Sejko

TIRANË- Banka e Shqipërisë dhe vetë guvernatori Gent Sejko pritet që shumë shpejt të jenë nën "sitën" e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Shkak është skandali i mikrokredive, i cili është denoncuar nga ZËRI jo vetëm me dokumenta, por edhe me rrëfime të qytetarëve të prekur nga kjo skemë piramidale që po zhvat shqiptarët. Megjithatë falë denoncimeve, SPAK ka nisur nga puna dhe ka marrë një përgjigje lidhur me faktin se përse Banka e Shqipërisë nuk i ka hequr licensën "Micro Credit Albania".

"VoxNews" ka siguruar një shkresë që i është dorëzuar SPAK-ut më 15 prill 2024, e cila është e firmosur nga zëvendësguvernatorja, Natasha Ahmetaj. Në shkresën që ajo ka firmosur poshtë emrit të saj, Ahmetaj thotë se: Banka e Shqipërisë nuk ka proceduar deri më tani me marrjen e masës së revokimit të licencës, duke marrë në konsideratë disa faktorë. Duke revokuar (shfuqizuar) licencën, MCA nuk do të ishte më subjekt i mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë dhe kështu do të ishte jashtë perimetrit të mbikëqyrjes, që do passillte që subjekti të mos raportonte më në regjistrin e kredive, të mos vijonte komunikimin me Bankën e Shqipërisë dhe kështu mund të krijoheshin situata, ndoshta edhe më të rënda në raport me detyrimet e kredimarrësve.

Pra me logjikën e tyre, MCA nuk i është hequr licensa, pasi në atë mënyrë nuk do kishin mundësi që ta kontrollonin. Edhe pse nuk e kanë bërë deri më tani. Edhe pse është njoftuar apo sinjalizuar disa herë nga banka të nivelit të dytë se kjo "kompani" po operonte në treg me skema abuzive ndaj qytetarëve. Sipas të njëjtave burime të "Vox", sinjalizimi i parë është bërë që në vjeshtën e vitit 2019, pra BSH ka pasur 5 vite kohë për të ndërhyrë dhe për të kontrolluar tregun. Problemi ishte shqetësues edhe për bankat, pasi disa zyra përmbarimore kishin bllokuar disa llogari ku klientëve u derdhej paga mujore. 

"Banka e nivelit të dytë shprehte shqetësim se kjo praktikë ishte ekstraligjore dhe shkelte të drejtat e kredimarrësve, pasi nuk garantohej minimumi jetik."

Të njoftuar, të sinjalizuar ishin, por nuk kanë marrë asnjë masë! Për të mos folur për faktin që vetë nuk kanë ushtruar asnjë kontroll mbi atë që po ndodhte, sipas tyre, "nën rrogoz". Reagimi i parë ndodhi në fund të vitit 2023, por jo drastik! Përkundrazi, në vend që t'i shfyqizonin licensën dhe t'i jepnin një shans qytetarëve që të mos binin më pre e skemës, thjesht e revokuan. Kuptimi? MCA vazhdoi që të mblidhte paratë e qytetarëve që sipas tyre, i ishin në borxh. Megjithatë, mirë që ia revokuan licensën, por në asnjë moment nuk e sqaruan shkakun. Kishin ndonjë gjetje? 

0 transparencë. 

Por jo vetëm kaq! Banka e Shqipërisë dhe Guvernatori Gent Sejko ishin në dijeni se një pjesë e mirë e viktimave të kompanisë "Micro Credit Albania" janë qytetarë që e kanë marrë kredinë te bankat e nivelit të dytë para vitit 2015. Pra, bankat (mes tyre edhe 'Tirana Bank', ku Elona Sejko (Gjipali), bashkëshortja e Guvernatorit Gent Sejko, kishte postin e drejtores) fshinin nga bilancet të gjitha kreditë që nuk paguheshin prej 3 vitesh. Këto kredi, që me ligj duhet që të fshiheshin, u shiteshin institucioneve të mikrokredive, siç ishte rasti i rrjetës së mashtrimit që kishin ngritur Olsi e Elda Ibro. E jo vetëm kaq. Nga çifti Sejko u krijua “Lendal” Sh.p.k, po ashtu një institucion financiar mikrokredie. Guvernator Sejko në Shkurt 2022 i dha praktikisht licencë vetes dhe gruas, nëpërmjet Eron Merkos, i cili njihet si person i afërt i Elton Gjipalit, kunatit të tij. Pra, duke qenë se mikrokreditë po ktheheshin në një minierë ari për zhvatësit, Sejko vendosi që të përfitonte edhe vetë.

Megjithatë duket se tuneli në fund të tij ka një dritë për të gjithë qytetarët që kanë rënë pre e mashtrimit dhe jo vetëm. Në fakt, dosja e përpiluar nga prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Leonard Filopati, tani është në SPAK. Sipas të dhënave që dihen deri më tani, jo pak, por rreth 100 mijë qytetarë që kanë rënë pre e skemës mashtruese, të cilën Banka e Shqipërisë u "mundua" ta mbante nën kontroll duke mos i hequr licensën, por nuk ia doli dot. Vetëm se 100 mijë qytetarë ankohen vetëm për MCA, por për të gjithë mikrokreditë e tjera? Skandali që është denoncuar për muaj tashmë nga ZËRI duket se është më keq sesa duket. E më keq sesa ka parë vendi ndonjëherë. Vetëm se kësaj herë, ndryshe nga "Sudja", përgjegjësit duhet të japin llogari në SPAK për dramat sociale që kanë shkaktuar dhe dëmin e pallogaritshëm që kanë shkaktuar. Deri në zgjidhjen e plotë të çështjes, ZËRI do të vijojë me denoncimet./ZËRI

Poll

MOS HUMB