
TIRANE- Një ditë pasi ZËRI publikoi detaje nga komunikimi mes Bankës së Shqipërisë dhe Prokurorisë së Posaçme, ku BSH-së dhe guvernatorit Gent Sejko i kërkohet llogari dhe informacion se përse lejoi aktivitetin e Microcredit Albania dhe Final, sot hetimi ka avancuar. Në ditët në vijim, SPAK do të regjistrojë një dosje penale, që siç ZËRI e ka njoftuar dhe paralajmëruar shumë kohë më parë, do të jetë çmontimi i një prej skemave piramidale më të mëdha që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Hetimi i dhënies së mikrokredive abuzive me norma interesi stratosferike dhe të papërballueshme u kthye në makthin e mijëra qytetarëve që ranë në grackën e një kredie të shpejtë dhe pa shumë dokumenta, por që më pas u përballën me studio ligjore të licensuara nga Banka që iu mori paratë me metoda nga më të ndryshmet.
Gazetari Elton Qyno raporton sot se pas hetimit të prokurorit Leonard Filopati, dosja i kaloi SPAK, pasi dyshimet e prokurorisë së Tiranës ishin se nuk kemi të bëjmë vetëm me një proces abuziv, por me veprime që i përmbajnë të gjitha elementët e një grupi të strukturuar kriminal, ku të përfshirë janë MCR, Final, Fondi Besa dhe dhjetra përmbaruesë.
Të ndihmuar nga lidhjet në Bankën e Shqipërisë, ata zhvatën qytetarët duke iu marrë paratë e mikrokredive përfshirë interesat, gjobat dhe kamatvonesat.
Aktualisht në dosjen e SPAK rreshtohen emrat e përmbaruesve:
Lefter Cenaj,
Helidon Xhindi,
Fatos Alimadhi,
Saimir Dogjani,
Astrit Kaptelli,
Rrok Deda
dhe Altin Vako.
Ata deri në këtë kohë kanë punuar për MCR, "Micro Credit Albania", institucion mikrokredie që deri pak kohë më parë kontrollohej nga Olsi dhe Elda Ibro, burrë e grua, tashmë në arrati dhe administratori Andis Gjoka.
Kompania tjetër, Final Shpk, zotërohet nga çifti tjetër Arben Meskuti dhe Vasil Bakallbashi.
Janë mijëra dosje që janë kryer në mënyrë fiktive duke iu marrë qytetarëve prona e asete për shuma qesharake parash të dhëna me mikrokredi.
Prokuroria e Tiranës i kërkon SPAK të regjistrojë hetimin me akuzat si "Mashtrim me pasoja të rënda”, “Mospagim taksash”, “Pastrim të produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”. Në dosje janë gjithashtu të përmendur edhe zyrtarë të Bankës së Shqipërisë, përfshirë edhe Guvernatorin Gent Sejko dhe zv.guvernatorin Deniz Derralla, të cilët dyshohet si kanë hapur derën jeshile kësaj skeme duke i lejuar këto institucione të zhvasin qytetarët, në një treg që mendohet se kap vlerën e gati 500 milionë eurove.
Por çfarë është ky skandal për të cilin flitet pak?
Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, Kredo, Iutecredit apo Fondi Besa, iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!/ZËRI