
GJIROKASTËR- Një minierë me përmbajtje minerali të rrallë litiumi është zbuluar në fshatin Kolonjë në Gjirokastër, atje ku kompania “Albanian Gold” zhvilloi sot një dëgjesë me banorët e fshatit që preken direkt nga ky projekt. Rezerva e litiumit e gjetur në nëntokën e fshatit sipas kompanisë është në vlerën e : 191,920,933 ton mineral me përmbajtje mesatare Litiumi 235.45 ppm.
Banorët ishin skeptikë për transparencën e projektit, por edhe për ndikimin që shpimet dhe përhapja e litiumit do të ketë në mjedisin ku ata jetojnë.
Igli Frëngu, një nga banorët e fshatit pyeti drejtuesin e kompanisë se çfarë ndikimi ka projekti.
“Nga ligji tokë unë nuk përfitoj nga mosha. Gërmimet vazhdojnë 25-30 vite, pasoja më e madhe është te kurrizi im, që kam jetëgjatësinë më të madhe.
Çfarë sigurie do të na jepni për cilësinë e punimeve që do të bëni juve, rrezikshmërinë që ne do të kemi nga punimet që ju do të bëni? I duam transparente dhe të monitoruara. Litiumi nuk njihet në Shqipëri. Këtu nuk jeton as Tirana, as ministria, as kryetari i bashkisë, as bashkia, këtu jetojmë ne. Përhapja e litiumit në sipërfaqe ne duhet ta dimë, ministria duhet të përgjigjet se ju jeni privatë.”-tha ai.
Të njëjtin shqetësim e ngriti edhe një tjetër banor i fshatit. Beqir Gjika, dikur ish-kryekomunar i zonës pyeti privatin për garancitë e projektit.
“Na duhet kohë për të marrë vendim për këtë projekt. A çlirohen gazra, a është i dëmshëm apo jo? Ju thatë që e keni mbyllur çdo gjë dhe ju kam marrë këtu të flisni. Ju nuk keni mbyllur asgjë pa folur ne këtu, pa folur fshati. “-tha ai.
Skeptike ndaj projektit është edhe bashkia Gjirokastër. Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë, Nertil Nebiaj, pyeti për Vendimin e Ndikimit në Mjedis, nëse kompania e kishte apo jo.
“Duhet transparencë, jemi pro projektit por duhet transparencë. Ne akoma nuk dimë a është miratuar VNM-ja në bazë të VKM-ve për këtë projekt.”-tha ai.
Por çfarë pretendon privati? Kompania Albanian Gold thotë se ka bërë shpime për 4 vitet e fundit në këtë zonë, ku ka rezultuar se është gjetur një rezervë shumëmilionëshe litiumi. Në këtë zonë, kompania kërkon të marrë 0.9 km katrorë për ta shfrytëzuar. Peizazhi i kësaj zone është i njohur në të gjithë krahinën e Kurveleshit, ndërsa toka ku mendohet se ndodhet litiumin deri më tani është përdorur nga banorët që jetojnë në zonë dhe merren me blegtori./ZËRI