Energji & Mjedis

Gjykata Kushtetuese shqyrton nesër ligjin për Zonat e Mbrojtura

Në pikëpyetje fati i Karavastasë, Vjosës dhe një sërë zonash të tjera ku synohet zhvillim nga privati.

f.g
Gjykata Kushtetuese shqyrton nesër ligjin për Zonat e Mbrojtura
Foto ilustruese

TIRANE- Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë nesër, e hënë në orën 11:00, seancën e parë publike për shqyrtimin e ankimimit që Partia Demokratike dhe një grup organizatash të shoqërisë civile kanë depozituar kundër ndryshimeve të fundit në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”.

Nëse ndryshimet miratohen si kushtetuese, ato mund të hapin rrugë për ndërtime me përmasa të mëdha në zona që deri tani kanë qenë të paprekshme për nga statusi i tyre mjedisor.

Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në fillim të këtij viti lejojnë që në zonat e mbrojtura të mund të ndërtohen projekte të konsideruara me interes publik, përfshirë infrastrukturë rrugore, linja energjetike, hidrocentrale apo zhvillime të tjera që mund të jenë pjesë e programeve strategjike. Kritikët e ligjit e shohin këtë si një derë të hapur për ndërtime të karakterit privat, përmes formulimeve të paqarta dhe kontratave koncesionare.

Në ankimimin e saj, Partia Demokratike thekson se ligji bie në kundërshtim me nenin 59 të Kushtetutës, që garanton ruajtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm. Po ashtu, cenohen të drejtat pronësore dhe komunitare të banorëve lokalë, të cilët shpesh nuk informohen apo përfshihen në vendimmarrje.

Shoqëria civile ndërkohë e cilëson këtë ndryshim si “kapje të natyrës nga interesat ndërtimore”, duke përmendur rastet e Lagunës së Karavastasë, Luginës së Vjosës, Divjakës, Rradhimës, e të tjera zona ku është raportuar presion mbi biodiversitetin.

Çfarë mund të vendosë Gjykata?

Nëse Gjykata Kushtetuese i konsideron ndryshimet si në përputhje me Kushtetutën, ligji do të mbetet në fuqi, duke legalizuar mundësinë që në zona të mbrojtura të zhvillohen projekte me ndikim të madh në territor. Nëse, përkundrazi, ndryshimet shpallen antikushtetuese, do të rivendoset mbrojtja e mëparshme ligjore, duke ruajtur zonat si pasuri natyrore me regjim të rreptë.

Shqipëria është palë nënshkruese në disa konventa mjedisore, përfshirë Konventën e Bernës, Marrëveshjen për Klimën në Paris, si dhe është pjesë e procesit të Integrimit në BE, ku ruajtja e biodiversitetit është standard thelbësor. Vendimet që prekin zonat e mbrojtura mund të ndikojnë drejtpërdrejt në imazhin ndërkombëtar të vendit dhe ritmin e negociatave me BE-në. Deputetja e PD, Ina Zhupa e cila e ankimoi ligjin në Kushtetuese bashkë me 36 firmat e deputetëve të tjerë të PD, shkruan në rrjetet sociale se kjo "është një betejë për mbrojtjen e pasurisë kombëtare me qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen si trashëgimi të fëmijevë tanë dhe brezave të ardhshëm."

Gjykata Kushtetuese shqyrton nesër ligjin për Zonat e Mbrojtura

Postimi i plotë:

Nesër, 23 Qershor, ora 11:00, seanca e parë në Gjykatën Kushtetuese për ligjin antikushtetues “Për Zonat e Mbrojtura”

Seanca do jetë publike dhe ftohen mediat ta ndjekin.

Është një betejë për mbrojtjen e pasurisë kombëtare me qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen si trashëgimi të fëmijevë tanë dhe brezave të ardhshëm.

Atje ku është një lagunë, një liqen për gjithë qytetarët, me vlera unike për shëndetin dhe natyrën, nuk mund të kthehet në oborrin privat të vilave të oligarkëve që betonizojnë dhe shkatërrojnë çdo trashëgimi natyrore kombëtare.

Në orën 10:45 do kem një komunikim me gazetarët para Gjykatës Kushtetuese. /ZËRI

Poll

MOS HUMB