
TOKIO- Studiuesit në Japoni kanë zhvilluar një plastikë që tretet në ujin e detit brenda disa orësh, duke ofruar një zgjidhje të mundshme për një plagë moderne që ndot oqeanet dhe dëmton jetën e egër. Ndërsa shkencëtarët kanë eksperimentuar prej kohësh me plastika të biodegradueshme, studiuesit nga Qendra RIKEN për Shkencën e Materieve në Zhvillim dhe Universiteti i Tokios thonë se materiali i tyre i ri zbërthehet shumë më shpejt dhe nuk lë mbetje.
Në një laborator në qytetin Wako, pranë Tokios, ekipi demonstroi një copë të vogël plastike që zhdukej në një enë me ujë të kripur pasi përzihej për rreth një orë. Ndërsa ekipi nuk ka ende plane të detajuara për komercializimin e produktit, udhëheqësi i projektit Takuzo Aida tha se hulumtimi i tyre ka tërhequr interes të konsiderueshëm, sidomos në sektorin e paketimit.

Shkencëtarët në mbarë botën po garojnë për të zhvilluar zgjidhje inovative për krizën në rritje të mbeturinave plastike.
"Fëmijët nuk mund të zgjedhin planetin në të cilin jetojnë. Është detyra jonë si shkencëtarë të sigurohemi që t'u lëmë atyre mjedisin më të mirë të mundshëm,"- tha drejtuesi i projektit, Takuzo Aida.
Shkencëtari japonez vuri në dukje se materiali i ri është po aq i fortë sa plastika me bazë nafte, por zbërthehet në përbërësit e tij origjinalë kur ekspozohet ndaj kripës. Këta përbërës mund të përpunohen më tej nga bakteret natyrore, duke shmangur kështu krijimin e mikroplastikës që mund të dëmtojë jetën ujore.
Meqenëse kripa është e pranishme edhe në tokë, një copë me madhësi rreth pesë centimetra dekompozohet në tokë pas më shumë se 200 orësh. Plastika nuk është toksike, nuk ndizet dhe nuk lëshon dioksid karboni.
Ndotja nga plastika pritet të trefishohet deri në vitin 2040, sipas parashikimeve të Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara, duke shtuar 23-37 milionë ton metrikë mbeturina në oqeanet e botës çdo vit./ZËRI