Aktualitet

Dosja 'Ura'/ Arrestohet në Dubai Nexhmedin Danaj, pronari i televizionit ‘Vlora Cable’! Policia: Blinte drogë me transferta digjitale

Danaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill të vitit 2026, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

zh.ll
Dosja 'Ura'/ Arrestohet në Dubai Nexhmedin Danaj, pronari i
Nexhmedin Danaj

TIRANË- Një 57-vjeçar është arrestuar provizorisht në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”. Bëhet fjalë për Nexhmedin Danaj, emri i të cilit doli në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Ura”, të zhvilluar nga SPAK dhe autoritetet italiane.

Danaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill të vitit 2026, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Sipas njoftimit të Policisë, nga hetimet rezulton se 57-vjeçari, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, ai akuzohet se ka përdorur metoda të sofistikuara financiare, përfshirë transferta digjitale, për kryerjen e pagesave të konsiderueshme në disa shtete, me qëllim blerjen e lëndëve narkotike.

Nexhmedin Danaj njihet si pronari i kompanisë “Vlora Cable” në Vlorë, një shoqëri që operon në fushën e televizionit kabllor dhe ofron shërbime televizive për qytetin e Vlorës. Televizioni ‘Vlora Cable’ që është sekuestruar në Vlorë në maj të vitit 2025, rezulton të jetë në pronësi të Nexhmedin Danajt.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Finalizohet, në bashkëpunim me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Abu Dhabit, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, është arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi N. D., 57 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin prill 2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet dyshohet se 57-vjeçari, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt shteteve të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, shtetasi N. D. akuzohet se ka përdorur metoda të sofistikuara financiare, përfshirë transferta digjitale, për kryerjen e pagesave të konsiderueshme, në disa shtete, për blerjen e lëndëve narkotike.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit për finalizimin e procedurave për ekstradimin e 57-vjeçarit në Shqipëri.

Poll

MOS HUMB