
TIRANË – Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur që të shtyjë për ditën e shtunë (27 janar), shqyrtimin e ankimit të bërë nga zyrtarët të dyshuar për shpërdorim detyre, në lidhje me aferën për inceneratorin e Tiranës.
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-drejtori i Punëve Publike në Bashkinë Tiranë Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, që janë aktualisht në burg, si dhe Alba Thoma, Silena Tola, Sidrita Kopliku e Pëllumb Abeshi, që janë aktualisht në arrest shtëpie, kërkojnë masa më të lehta sigurie. Ata pretendojnë se nuk kanë kryer vepër penale.
Të dyshuarit kanë deklaruar se nuk kanë pasur kapacitete që të ndikojnë apo të dëmtojnë provat, ndërsa kanë shtuar se nuk ekziston rreziku, që ata t’i shmangen drejtësisë.
Për këtë çështje hetimore, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë vendosur në zyrat e Drejtorisë të Punëve Publike, që janë pranë Rrugës së Durrësit dhe zhvilluan kontrolle, teksa kanë marrë kompjuterat dhe kanë sekuestruar disa dosje. Taulant Tushe është zyrtari më i lartë i Bashkisë së Tiranës, që ndodhet në burg për inceneratorin e Tiranës./ZËRI/