
TIRANË- Afera e inceneratorëve është një konglomerat shkeljesh nga ana e Ministrisë së Mjedisit, Komisionit për Dhënien e Koncensionit, por edhe të gjithë institucioneve të linjës, që hodhën firmat dhe i hapën rrugë një koncensioni që ka marrë dhe merr çdo muaj miliona euro nga buxheti i shtetit.
Propozimi i Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit ka qënë në shkelje që në gjenezë, pasi është prezantuar si ofertë e pakërkuar, edhe pse në fakt pasonte një studim të bërë më herët nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Mjedisit për menaxhimin e mbetjeve.
Në dosjen e siguruar nga ZËRI, Bashkia e Tiranës njofton në datën 23 Dhjetor 2015 Ministrinë e Mjedisit për përfundimin e një studimi për përmirësmin e shërbimit dhe trajtimit të mbetjeve në kryeqytet.
Po në këtë shkresë thuhet se nga ekspertët japonezë është vlerësuar mundësia e zgjerimit të Lanfillit të Sharrës. Rreth 3 muaj më vonë, në datën 3 Mars, mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Mjedisit bihet dakord që procedura për trajtimin e mbetjeve të udhëhiqet pikërisht nga Mjedisi, dhe për këtë janë ngritur dhe grupet e punës së përbashkëta.
Në dosjen e siguruar nga ZËRI, Gjykata e Posaçme shprehet se propozimi i Klodian Zotos si ofertë e pakërkuar, nuk mund të konsiderohet e tillë, sa kohë që nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Tiranës, kishte pasur më herët një studim për menaxhimin e mbetjeve.
“Shkresa e nisur nga shoqëritë me ‘Letër Interesi’, nuk duhej të ishte konsideruar si propozim i pakërkuar”, thotë Gjykata, pasi në rast se do të ishte një ofertë e pakërkuar, atëherë Autoriteti Kontraktor do të duhet të ngrinte një komision, dhe ti kërkonte dokumentacion shtesë shoqërisë propozuese.
Gjykata konstaton po ashtu se në kohën kur Ministria e Mjedisit ka ngritur Komisionin për dhënien e koncensionit, shoqëria “Integrated Technology” nuk ka pasur asnjë plan konkret për projektin.
Nga të dhënat e SPAK, Ministria e Mjedisit ka pasur kontakte me Integrated Technology, përpara se kjo kompani të paraqiste ofertën e pakërkuar. Po ashtu në dosjen e siguruar nga ZËRI, del qartë se Zoto merr informacione nga Vladimir Bezhani, këshilltar në Ministrinë e Mjedisit, përpara se të paraqitej oferta e pakërkuar.
Vetëm nëse kjo pikë e vendimit të Gjykatës, do të ishte marrë parasysh nga Ministria e Mjedisit, si autoriteti kontraktues, Buxhetit të Shtetit do t’i ishin shpëtuar miliona euro./ZËRI