Aktualitet

Si u frynë kostot për ndërtimin e inceneratorit me 25.7 mln euro, ‘u zhdukën’ të ardhurat nga të tretët

Studimi i fizibilitetit i hartuar nga kompania e Zotos, është miratuar pa rezerva nga Komisioni për dhënien e Koncensionit, edhe pse janë konstatuar një seri shkeljesh në kostot e deklaruara për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës

E.K
Si u frynë kostot për ndërtimin e inceneratorit me 25.7 mln euro,
Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri

TIRANË- Afera e inceneratorëve, nëse i referohesh dosjes së Gjykatës, është kryer me një lloj shkujdesje të frikshme nga ana e zyrtarëve, një pjesë e të cilëve gjenden sot pas hekurave. Vetëm me një të rënë të ‘lapsit’ në studimin e fizibilitetit, është shtuar një kosto prej 3 milionë eurosh për mjetet e transportit.

“Vlera e mjeteve të transportit në momentin që është përdorur për të llogaritur koston e ndërtimit është dhënuar në vlerën 750 mijë euro, ndërsa kur është llogaritur tarifa vlera e mjeteve të ndërtimit është vendosur 3 milionë e 750 mijë euro. Kjo ka mbivlerësuar koston e ndërtimit në vlerën 3 milionë euro, e cila më pas ka ndikuar në rritjen e tarifës që do të pagujanë njësitë e qeverisjes vendore”, thuhet mes të tjerave në dosjen e Gjykatës.

Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kishin dy plane biznesi, njërin që do të dorëzonin në Ministrinë e Mjedisit dhe tjetrin që do të kishin për qarkullim të brendshëm në kompanitë e tyre.

Sipas dosjes së Gjykatës rezulton se kostot e ndërtimit të vendosura në studimin e fizibilitetit, 128.248.330 janë fryrë në vlerën 25.783.080 euro. Ministria e Mjedisit i ka dhënë të drejtën kompanisë koncensionare që të ndërtonte vepra plotësuese, duke shtuar mundësinë e abuzimit nga kompania.

Shkeljet janë evidentuar dhe nga KLSH, në një audit të bërë në vitin 2019. Në dosjen e siguruar nga ZËRI thuhet: “Nga auditimi konstatohet se nuk ka argumente në studimin e fizibilitetit në lidhje me kostot e konsulencës 2.115.000 euro, telekomunikacionit 507 600 euro, dhe mbi të gjitha shpenzimeve të tjera administrative të cilat janë paraqitur në vlerën 58.556.632 euro”.

Sipas Gjykatës, duke marrë në konsideratë gjetjet e SPAK, përfitimi i shoqërisë nga projekti llogaritet në shumën 14.36 euro për ton, nga 2.9 euro që ishte deklaruar në studimin e fizibilitetit.

Në dosjen e GJKKO del qartë se Komisioni i dhënies së Koncensionit i ka marrë kostot nga studimi i fizibilitetit pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre, që çuan më pas në rritjen e detyrimit që do të derdhnin bashkitë në drejtim të kompanive.

“Komisioni ka konkluduar se vlera që duhet të paguanin njësitë e qeverisjes vendore është 29 euro/ton. Nga aktet e administruara rezulton se kjo vlerë është synuar nga shoqëria koncesionare dhe është përcaktuara para se të ndërtohej plan buxheti. Këto kosto nuk janë reale, por janë përshtatur për të arritur në këtë vlerë. Komisioni ka përfshirë të dhëna të kostos në studimin e fizibilitetit, vërtetësinë e të cilave nuk e ka verifikuar si dhe vlerat që ka marrë për llogaritjen e tarifës kanë dukshëm mospërputhje”, thuhet në dosje.

Në studimin e fizibilitetit, theksohet në dosje, nuk janë marrë në konsideratë të ardhurat reale që do të përfitonte kompania koncensionare, pasi nuk janë llogaritur të ardhurat që shoqëria do të përfitonte nga palët e treta.

Gjithashtu Komisioni për dhënien e koncesionit ka kryer dhe disa shkelje të tjerë në lidhje me përcaktimin e të ardhurave të pritura nga shitja e energjisë dhe skrapit të cilat janë ulur fiktivisht, shifra të cilat janë hartuar vetë nga Klodian Zoto, i cili ia ka nisur Alba Thomës, drejtoreshë Juridike në Ministrinë e Mjedisit.

Më pas zyrtarja ia ka kaluar komisionit i cili sërish i ka pranuar pa kryer asnjë verifikim.

“Nga përllogaritjet e kryera për periudhën deri në 28 Shkurt 2021, rezulton se shoqëria koncensionare ka marrë të ardhura nga shitjet që i janë faturuar bashkisë Tiranë në vlerën e 36 miliardë lekëve, ndërkohë që nga palët e treta ka përfituar 24 miliardë lekë të vjetra. Në rast se të ardhurat nga të tretët do të ishin konsideruar, kostot për Bashkitë do të ishin më të ulëta”, vlerëson Gjykata.

KUSH ISHIN ANËTARËT E KOMISIONIT PËR DHËNIEN E KONCENSIONIT: 

1-Valbona Ballgjini, kryetare

2-Erjon Murataj

3-Sidita Temali

4-Etleva Kondi

5-Taulant Tusha

6-Namik Simixhiku  

7-Pëllumb Abeshi

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB