
BRITANI E MADHE- Një kontrabandist shqiptar është burgosur në Angli, pasi komplotoi për të sjellë 16 emigrantë shqiptarë në Britaninë e Madhe, duke u pajisur me pasaporta false të Bashkimi Europian. Përveçse u siguronte pasaportat, ai gjithashtu u bënte edhe prenontimet me linjat ajrore. Shqiptari, i identifikuar si Sait Ruçi përdori një kartë identiteti (ID) të rreme italiane, duke i përdorur identitetit një personi, me të cilin kishte hapur dhe një llogari bankare. Atje kishte blerë edhe bileta ajrore për ata që sillte në Mbretërinë e Bashkuar.
Emigrantët, të gjithë nga Shqipëria, paguanin për të blerë një pasaportë false të BE-së dhe një biletë ajrore për në Britaninë e Madhe, të cilat kapnin shumën e mbi 10,000 £, vetëm që të hynin në Angli 'rregullisht' dhe jo përmes kanalit. Ruçi u dënua sot me tre vjet, për komplot për të ndihmuar emigracionin e paligjshëm.
Në shumë raste, dokumentet dhe rezervimet u identifikuan nga linjat ajrore. 16 persona udhëtuan për në Mbretërinë e Bashkuar, por dokumentet e tyre u zbuluan si false nga oficerët e Forcave Kufitare pas mbërritjes. Kështu, me bashkëpunimin e aeroporteve dhe linjave ajrore, hetuesit e Home Office ishin në gjendje të gjenin "kokën" e këtij aksioni, fije që i dërguan tek Ruçi. Ruçi tani do të trajtohet si shkelës dhe mund të largohet nga Britania e Madhe pas referimit në Ministrinë e Brendshme./ZËRI