
TIRANË – Ish-deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka bërë këtë të premte një denoncim të fortë. Ai tha se personit që i është kërkuar të financojë inceneratorin e Tiranës, është arrestuar në SHBA për mashtrim.
Ky individ është Shefi Ekzekutiv i kompanisë, që ka selinë në San Diego të Kalifornisë. Ai ka ofruar mbështetje financiare 140 milionë euro për djegësin e kryeqytetit. Këlliçi tha se Carlos Manuel Da Silva Santos, sipas raporteve zyrtare të Departamentit të Drejtësisë Amerikane, rezulton se është dënuar në nëntor 2023 për mashtrim financiar dhe krime të tjera, të kryera në bashkëpunim.
Këlliçi nënvizoi se hetuesit federalë kanë bërë ndjekjen dhe më pas arrestimin e këtij individi, që është vetëm 29 vjeç. Sipas Këlliçit, Da Silva Santos është një person që ka ngritur një skemë mashtrimi ndërkombtër, në bashkëpunim me persona të tjerë.
Belind Këlliçi i bëri thirrje SPAK-ut, që të mos heshtë përpara kësaj afere. Ai tha se SPAK duhet të nisë një letër-porosi në disa shtete, për të hetuar skemën e mashtrimit. Këlliçi tha se Grupi i Ekspertëve pranë Partisë Demokratike ka vijuar që të analizojë shumë dokumente të reja për këtë çështje, që do të publikohet në ditët në vazhdim.

Pjesë nga fjala e Këlliçit:
Ju do të shihni këtë publikim zyrtar të Departamentit të Drejtesisë Amerikane, konkretisht zyra e Prokurorit te SHBA-ve, Distrikti Jugor i Kalifornisë, në të cilin bëhet i ditur arrestimi me datë 13 nëntor 2023, i shtetasit Carlos Manuel da Silva Santos, me funksion CEO i kompanisë Ethos Asset Management Inc., me akuzën e mashtrimit financiar dhe krimeve të tjera në bashkëpunim.
Hetuesit federale që kanë bërë ndjekjen dhe me pas arrestimin e këtij shtetasi, kanë deklaruar se ky individ, vetëm 29 vjeç, është personi që ka ngritur një skemë mashtrimi ndërkombëtare në bashkëpunim dhe me individë të tjerë. Kjo çështje ende vijon të jetë nën hetim në SHBA nga Agjencia e Homeland Security Investigations.
Kompania mëmë në Holande e Inceneratorit fantazme, “Geogenix”, tashmë në pronësi të ICARE Holding dhe Franco Tossi Mecanica, i janë drejtuar këtij 29 vjeçari, tashmë me akuza zyrtare federale për mashtrim ndërkombëtar në SHBA, për të përfituar 100 milionë euro financim për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Grupi i Eksperteve pranë PD, po vazhdon të analizojë shumë dokumente të reja për këtë çështje. Në ditët në vijim, ne do të bëjmë transparencë për fakte dhe dokumente të reja. SPAK nuk mundet më të fshihet dhe të bëjë sehir për këtë aferë. Askush nuk do të kishte guximin të hynte në marrëdhënie te tilla financiare, pa garancinë e pagesave mujore, të cilën mund ta jepte fillimisht Edi Rama, e ndërkohe sot e jep këtë garanci i vetëm, Erion Veliaj.
Të mos harrojmë se vetëm para 1 muaji, në Buxhetin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj miratoi 12 milionë euro pagesë për Inceneratorin vetëm për vitin 2024.
I bej thirrje urgjente sot Drejtuesit te SPAK z. Altin Dumani, të shfrytezojë të gjitha marrëveshjet që ka me Agjencitë Ligjzbatuese në SHBA e më gjerë, të nisë disa Letër Porosi, në shtete si Çeki, Turqi dhe Qipro, në lidhje me këto fakte të reja, për hetimin e thelluar të kësaj skeme financiare piramidale, e cila tashme është e faktuar përtej çdo dyshimi, që i kalon kufijtë e Shqipërisë dhe kërkon të fusë në territorin shqiptar fonde, burimi i të cilave nuk dihet./ZËRI/