TIRANË- Një pjesë e shërbimeve jetike janë jashtë funksionit në e-albania, ndërsa Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), vazhdon që të mos mbajë përgjegjësi, edhe pse për këto sisteme janë investuar miliona euro. Pas denoncimit të ZËRIT se shërbimet e Kadastrës janë jashtë funksionit prej më shumë se një jave, ka pasur denoncime nga shumë qytetarë edhe për shërbimin e recetave të rimbursueshme, të cilat nuk janë të aksesueshme në e-albania.
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ka bërë me faj AKSHI-n, ndërsa mjekët janë detyruar që të lëshojnë recetat në mënyrë manuale. Portali e-receta, që është përgjegjës për lëshimin e recetave për ilaçet me rimbursim është jashtë funksionit, gjë e cila ka sjellë problematika qoftë në qendra shëndetësore, qoftë në farmaci, të cilat japin edhe ilaçet pa pagesë.
Në lidhje me këtë situatë AKSHI nuk ka bërë asnjë reagim, ndërsa sorrollatja për pacientët me sëmundje kronike vijon prej pothuajse një jave. Shumë prej qytetarëve e lidhin këtë problematikë me hakerimin e sistemeve, por një gjë e tilla nuk konfirmohet zyrtarisht nga vetë AKSHI.
Ndërkohë në redaksinë e ZËRIT kanë mbërritur disa mesazhe, që denoncojnë problematikat me Kadastrën, ku qytetarët shprehen:
-Kèta tè hipotekave janè tè korruptuar deri nè çdo qelizè tè trupit. Kanè 35 vjet qè sorollasin popullin pèr 1 cop leje legalizimi, e çertefikatè pronèsie. Harram e paçin dhe i vraft zoti.
-Në Zyrat e Hipotekave ka me qindra raste aplikime të mbartura me 10-tra vite që tarifat janë të paguara dhe askush nuk përgjigjet për zgjidhjen e tyre. Paguaj shtetit për shërbimin e pazgjidhur, kësaj i thonë: Merr dhe mos jep...?!
E kontaktuar nga ZËRI, zyra e PR-t të drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karcanaj, mohoi rënien e sistemit të Kadastrës, duke thënë se ka patur vetëm një problematikë me nënshkrimin elektronik, çështje që është zgjidhur brenda 24 orëve. Por një gjë e tillë hidhet poshtë nga vetë qytetarët, të cilët ditë pas dite denoncojnë problematikat me të cilat përballen, me kalimin e shërbimeve të institucioneve online.
/ZËRI