Factcheck

Shfarosja teknologjike e AKSHI-t, Kadastra në kolaps, mijëra qytetarë nuk marrin dot shërbimin online

E kontaktuar nga ZËRI, zyra e PR-t të drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karcanaj, mohoi problematikat duke thënë se ka patur vetëm një problematikë me nënshkrimin elektronik, çështje që është zgjidhur brenda 24 orëve. 

f.g
Shfarosja teknologjike e AKSHI-t, Kadastra në kolaps, mijëra
Mirlinda Karcanaj

TIRANE- Prej më shumë se një jave, Kadastra është jashtë funksionit. Të gjitha shërbimet janë bllokuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) e cila për ndërtimin e sistemeve dixhitale të Kadastrës ka shpenzuar përmbi 30 milionë euro.

Qytetarë dhe biznese janë ankuar pranë ZËRI-t për këtë problematikë që u ka penguar transaksionet e shitjes së pronave. Nga jugu në veri Kadastra është jashtë funksionit dhe ende nga ana e AKSHI-t nuk ka një sqarim zyrtar se përse ky sistem dixhital nuk funksionon.

E kontaktuar nga ZËRI, zyra e PR-t të drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karcanaj, mohoi rënien e sistemit duke thënë se ka patur vetëm një problematikë me nënshkrimin elektronik, çështje që është zgjidhur brenda 24 orëve. 

Por në një përgjigje të dhënë për Tv Klan dy ditë më parë, ky institucion që çdo vit i merr buxhetit të shtetit miliona euro, deklaron se për shkak të fluksit të lartë të aplikimeve, sistemi ka probleme.

 “Ngarkesa dhe fluksi i lartë i dokumenteve, të cilat nënshkruhen/vulosen nga infrastruktura në kuadër të shërbimeve tërësisht online të ofruara për qytetarët dhe bizneset, ka shkaktuar një mosfunksionim të pjesshëm në shërbimet e nënshkrimeve elektronike. Sigurojmë qytetarët dhe bizneset se stafi ynë teknik po punon për të optimizuar dhe shtuar resurset e kësaj infrastrukture, jo vetëm për rikthimin në normalitet, por edhe për të parandaluar përsëritjen në vazhdim”, thuhet në reagimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë të Informacionit.

I habitshëm është edhe ‘arsyetimi’ se nëse të gjitha shërbimet e tjera për qytetarët nuk punojnë, fiskalizimi (mbledhja e të ardhurave nga biznesi për shtetin), vazhdon.

 “Dëshirojmë të bëjmë me dije se problematikat e nënshkrimit elektronik, të cilat po adresohen aktualisht, nuk ndikojnë në mirëfunksionimin e sistemit të fiskalizimit për të gjithë subjektet tatimpaguese, të cilët janë pajisur me certifikat elektronike për përdorimin e këtij shërbimi”.-përfundon AKSHI. 

Nga 3 korriku, të gjitha shërbimet e Kadastrës kanë kaluar online si pjesë e një “revolucioni” dixhital të shpallur nga qeveria me qëllim eleminimin e ryshfetit pranë sporteleve. Kadastra trajton në vit përmbi 1.2 milionë kërkesa për shërbim, ku volumin më të madh e ka kryeqyteti me mbi 1000 kërkesa në ditë nga qytetarë dhe biznese. Nga ana tjetër, AKSHI, institucioni që është në qendër të akuzave për tendera korruptivë dhe favorizime të operatorëve që fitojnë të drejtën për të ndërtuar dhe menaxhuar këto sisteme, po bën gjithnjë e më pak transparencë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB