
TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj vazhdon dhe i bën karshillëk Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke u shkuar në derë më makinën e mikut të tij, Ermal Kurtulaj. Edhe sot, në paraqitjen pranë SPAK, ka shkuar me "Tuaregun" e tij dhe sërish ka marrë gjobë nga Policia Bashkiake.

Deklarata e tij para gazetarëve, përveçse ironike, i jep SPAK një arsye më shumë për të hetuar. Kur njoftohet se edhe sot ka marrë gjobë, Beqaj hiqet si i shqetësuar. E më pas kur i kërkohet llogari se përse vjen me makinën e atij që e konsideron mikun e tij, nis dhe shpjegohet. Por në vend që të vizatojë vetulla, ka nxjerrë sytë.
“Edhe sot u paraqita në SPAK në cilësinë e personit nën hetim për çështjen e sterilizimit. u mora në pyetje nga hetuesi. Sot kishim pyetjet për sterilizimit. Diskutuam për gazin dhe aneksin 8, madje për aneksin 8 në një pjesë shumë të plotë sepse e dini që lidhet me këtë çështje është pjesë e dokumentave standarde. Ndërkohë siç edhe mund ta shihni edhe sot kam ardhur me ndihmën e avokatit. Me automjetin luksoz "Tuareg". Prapë jemi gjobitur? Atëherë lidhja me Ermalin ua kam thënë prej kohësh... Ka një arsye shumë të thjeshtë pse vij me automjetin e të tjerëve dhe jo me timin. Unë nuk di ti jap makinës, nuk kam pasur kurrë dëshmi drejtimi,”-tha Beqaj jashtë SPAK.
Në fjalën e tij 'perlë' pas daljes së tij nga SPAK thotë se vjen me makinën e të tjerëve se nuk ka patentë që të ngasë mjetin e tij. Pra e ka një makinë të vetën, atëherë pse përdor atë të Kurtulajt? Pyetja e dytë që ngrihet nga një llogjikë e thjeshtë është kjo: pse duhet të marrë makinën e Kurtulaj, kur gjithsesi nuk i jep vetë. Edhe në këtë sot, edhe kurdoherë më vete ka shoferin e tij, Arben Dani.
Si i bie që shoferi i Beqajt nuk i jep dot makinës së ish-ministrit, por e ka më të thjeshtë që të drejtojë mjetin e shokut të tij?
Me këtë deklaratë ka dalë blof, kështu që po ia bëjmë me dijeni publike: Herë tjetër gjej një justifikim më të mirë!/ZËRI