
TIRANË- Një postim në TikTok ka vënë në alarm prindërit në Shkodër, të cilët kanë rritur sigurinë për fëmijët e tyre në shkolla nga frika e ndonjë rrëmbimi. Një thashethem që i referohet një postimi në rrjetet sociale, për disa persona, që shoqërohen me foto dhe një furgon të bardhë ka vënë dje në levizje edhe policinë e Shkodrës.
Në grupet e prindërve në What's up, ishte shpërndarë postimi, ku thuhej se disa persona me furgon të bardhë ishin parë pranë një gjimnazi në Shkodër, dhe kishin për qëllim rrëmbimin e fëmijëve, për t'iu shitur më pas organet.

Policia verifikoi rastin dhe në fakt furgoni që ishte parë pranë shkollës ishte ai që bënte transportin e fëmijëve në drejtim të banesave të tyre. Burime nga policia i thanë Zërit se disa efektivë policie kanë shtuar kontrollet në zonat pranë shkollave, por nuk është evidentuar asgjë e dyshimtë.
Por nga e ka origjinën ky lajm i rremë?
Zëri ka verifikuar se në fakt fotoja e furgonit që është me targa polake, është publikuar fillimisht në Itali, dhe dyshohet se grupi në fjalë vepronte në zonën e Katanias. Më pas siç ndodh rëndom, fotoja është marrë dhe është hedhur në disa faqe me ndjekës shqiptarë, e duke shkaktuar panik te prindërit, që shpesh nuk dinë të bëjnë verifikimet e duhura.
Pre e mashtrimit kanë rënë edhe disa media lokale në Kosovë, ndërsa lajmi atje ka qarkulluar në mesin e muajit Nëntor.
Më 15 nëntor, faqja e Facebook-ut Lajme Ferizaj (arkiva), ka publikuar një fotografi në të cilën shihen pesë persona. Faqja pretendon se këta persona rrëmbejnë fëmijë dhe i shesin për organe.“Kujdes këta njerëz po vjedhin fëmijë dhe i shesin për organe. Tani ata janë në qytetin tonë Zagar. Kujdesuni për fëmijët tuaj dhe mos i lini vetëm jashtë. Shpërndajeni këtë postim që të gjithë prindërit të mund të shohin dhe mbrojnë fëmijët e tyre. ju Lutem shperndajni ne gjdo Grup”- thuhet në përshkrim.
Ky informacion është shpërndarë edhe në faqe tjera në Facebook si Bota Sot e Re (arkiva), Beslidhja Shqiptare Ne Botë (arkiva), Mitrovica 02 (arkiva), Podujeva.info (arkiva), Në Preshevë (arkiva), Shkupi1 (arkiva), Besiana _Podujeva (arkiva), Llapianet (arkiva), Tushkofozë (arkiva), Republika e Kosovës (arkiva), Dobërdoll (arkiva), Gryka e Kaçanikut (arkiva), Briseda Gjelaj (arkiva), Rinia Islame Fushë Kosovë (arkiva), në grupin Ardit Gjebrea Group (arkiva), Islami Ndriçues (arkiva), Balli Kombëtar (arkiva) dhe Ismail Ermuli (arkiva).Nga faqet që e kanë shpërndarë këtë lajm është vërejtur numri i madh i shpërndarjeve edhe nga profile personale në Facebook.
Mirëpo menjëherë pas publikimit të këtyre lajmeve, policia e Kosovës reagoi duke thënë se në fakt kishim të bënim me një lajm të rremë. Edhe pse me pak vonesë, edhe në disa qytete në veri të Shqipërisë prindërit prej ditësh shprehen të shqetësuar, dhe kjo vihet re fare qartë në komentet që ata lënë në postime të ndryshme.
Zëri këshillon prindërit që padyshim të jenë të kujdesshëm për sigurinë e fëmijëve të tyre, mirëpo në disa raste do të duhet ta jenë më të vëmendshëm në përzgjedhjen e informacioneve që marrin.
/ZËRI