
TIRANË- Babai i Dua Lipas, Dukagjin Lipa ka aplikuar që të bëhet investitor strategjik në Shqipëri. Lajmi ka nisur që të qarkullojë që ditën e djeshme në disa media, por i trajtuar në një formë tjetër. Përflitej se Dukagjin Lipa ishte shpallur investitor strategjik në Lushnjë, më konkretisht në zonën e Karavastasë. Madje pretendohej se po ndërtonte në zonën e Fierit dhe Lushnjës parkun fotovoltaik me kapacitet prodhimi 100 Mega, pronë që e kishte marrë me çmimin 1 euro metri. Në të gjitha mediat e shfaqura ky lajm kishte të njëjtat mungesa: 1.nuk kishte asnjë dokument; 2.nuk përcaktohej lloji i investimit; 3. nuk përcaktohej as toka që ishte blerë. Parku Kombëtar i Karavastasë ka një sipërfaqe prej 4330 hektarësh, e për më tepër që atje po ndërtohet aktualisht një park fotovoltaik nga kompania franceze "Voltalia".
Projekti 140 megavat iu dha Voltalia-s me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë më datë 21 janar 2020, sipas një procedurave dhe procesit konkurrues të tenderit të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH. Pra, nuk ka sesi të jetë duke u ndërtuar një tjetër park i kësaj natyre, aq më tepër kur në "lojë" është futur edhe BERZH.
ZËRI vendosi që të shkonte pak më tutje, përtej sipërfaqes së lajmit për të mësuar se çfarë po ndodh në të vërtetë. Po, ka një aplikim nga babai i Dua Lipës për investitor strategjik, por nuk është i vetëm, por me partnerin e tij Hysen Ruka.
Për 30 milion euro investim, Dukagjin Lipa dhe partneri i tij në biznes kërkon rreth 1100 ha tokë në zonën e Çërravës në Pogradec, ku edhe premton se do të hapë mbi 50 vende pune. Madje, kërkesa është zyrtare në faqen e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, (AIDA).
"Aktualisht aplikmi i subjektit të interesuar ndodhet në fazën e asistimit për mbledhjen e informacionit me të dhënat e karakterit teknik, ligjor, administrativ etj., të nevojshme për hartimin, përgatitjen dhe zbatimin e investimit, sipas parashikimeve ligjore e nënligjore në fuqi,"-shkruhet në njoftim.
DOKUMENTI:
Në cilësinë e kërkuesit keni depozituar pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimi të Investimeve (AIDA), kërkesën për informacion, -- regjistruar me numër rendor 29, datë 7.9.2022, ku kërkoni të njiheni me informacionin për:
1. Kërkesë/propozimin investues për përfitimin e statusit "Investim/investitor strategjik për shtetasit Dukagjin Lipa dhe Hysen Kuka. Pasi u njohëm me kërkesën tuaj, ju bëjmë me dije se pranë AIDA-s, me nr. 8 prot. të datës 2.9.2022, është regjistruar shkresa "Shprehje interesi për aplikim për status strategjik në zbatim të Nenit 8 të Ligjit Nr. 55/2015 "Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë"", nga shoqëria "DH SOLAR PARK" sh.p.k. me NIUS M21809033P, ku ortakë të shoqërisë janë shtetasit Hysen Ruka dhe Dukagjin Lipa.
Sipas kërkesës në fjalë, shoqëria "DH SOLAR PARK" sh.p.k., pretendon përfitimin e statusit Investitor/Investim Strategjik Procedure e Asistuar, në zbatim të ligjit Nr. 55/2015 "Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë", për realizimin e projektit të investimit të ndërtimit të një parku fotovoltaik në sektorin energjetik, me vlerë investimi mbi 30 milion Euro, realizimi i të cilit hap mbi 50 vende pune. Projekti i investimit konsiston në realizimin, vënien në funksion si dhe mirëmbajtjen e një parku fotovoltaik në Qarkun e Korçës, Bashkia Pogradec, Njësia Administrative Çërravë. Aktualisht aplikmi i subjektit të interesuar ndodhet në fazën e asistimit për mbledhjen e informacionit me të dhënat e karakterit teknik, ligjor, administrativ etj., të nevojshme për hartimin, përgatitjen dhe zbatimin e investimit, sipas parashikimeve ligjore e nënligjore në fuqi.
Aplikimi është bërë, por a do t'i jepet?/ZËRI