
TIRANË- Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Aldo Bumçi doli sot në një deklaratë për shtyp për të hedhur akuza mbi kryeministrin Edi Rama. Nga selia blu, Aldo Bumçi ka akuzuar Edi Ramën si përdorues i aplikacionit "Sky ECC", ndërsa shtoi se përmes tij, i pari i qeverisë përmes këtij aplikacioni ka porositur dosjen ‘non grata’ ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Por aludoi se e ka përdorur edhe për vepra të tjera kriminale.
"Partia Demokratike informon publikun se Edi Rama dhe Taulant Balla janë përdorues kryesorë të telefonave të koduar si SKY Ecc, etj me të cilët kanë biseduar me grupe të strukturuara kriminale të lidhura direkt me ta dhe kanë porositur vepra të rënda penale. Kështu, Allison Guerrera partnere e McGonigal denoncoi Edi Ramën për biseda të gjata, të përditshme me Sky Ecc midis partnerit të saj në të cilat është folur për angazhimin kundrejt ryshfetit të të korruptuarit McGonigal nga Edi Rama për veprimet e përbashkëta në pergatitjen e dosjes false për shpalljen nongrata të Sali Berishës. Në këto telefonata me Sky Ecc, Edi Rama si kapo i grupit të strukturuar kriminal Rama-McGonigal,"-tha ndër të tjera sot Aldo Bumçi.
Megjithatë e vërteta portretizohet krejt ndryshe nga personi që denoncoi McGonigal, e që e njihte mjaft mirë. Bëhet fjalë për të dashurën dhe bashkëjetuesen e tij, Allison Guerrero. Në një rrëfim të bërë më 5 shkurt 2023, ajo tha se McGonigal kishte foto të shumta me Ramën, fliste me të në celualar me anë të një aplikacioni të koduar “Viasat”. Pra jo SkyECC, por as edhe një tjetër aplikacion. "Viasat" është një shpërndarës interneti në SHBA, ndërsa deklarata e Alison Guererro ngelet e paverifikuar.
“Charlie më thoshte që ishte mik me Kryeminstrin Rama dhe mu duk e pazakontë që një agjent i këtij niveli të lartë të FBI të ketë një miqësi të tillë. Ata shpesh flisnin në telefon me Viasat dhe më tregonte foto që kishin qenë bashkë. Më dukej një miqësi e pazakontë,”-tregonte ajo.
Se përse është bërë ky "ngatërrim", ZËRI ka kontaktuar vetë ish-deputetin dhe ish-ministrin, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka ende një përgjigje nga ana e tij.
Gjithashtu është ende e paqartë se përse Bumçi ka dalë sot nga selia për të bërë një denoncim që në fakt, në bazën e tij as nuk qëndron dhe është një lajm i rremë. E dyshimtë është edhe koha e denoncimit të tij, sidomos kur dalja e tij e fundit ka qenë thuajse një vit më parë. Për më tepër që ai vetë nuk ka qenë kurrë një denoncues i çështjes "McGonigal". Përse duhet të dilte Bumçi për të folur për këtë denoncim të opozitës, kur Partia Demokratike ka deputetë që e kanë ndjekur si rast dhe kanë denoncuar e kanë kërkuar madje edhe Komision Hetimor në Kuvendin e Shqipërisë.
Cili është halli i tij i madh që e detyroi të dalë në deklaratë me nxitim pa bërë asnjë verifikim e duke shpërndarë një Fake News? Mos vallë ka lidhje me situatën e tij në GJKKO, ku po gjykohet dosja e Gërdecit?
Mbetemi ende të një përgjigjeje nga ana e demokratit.../ZËRI