
TIRANË- Blerim Hoxha është pronar me 40% të aksioneve tek inceneratori i Tiranës. Emri i biznesmenit të futur rishtazi në ''lojë" u përmend dje nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, duke e lidhur me kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Në një intervistë për emisionin 'Çim Peka Live' në Syri Tv, Ahmetaj ka deklaruar se një biznesmen shqiptaro-zviceran i quajtur Blerim Hoxha ka 40% të inceneratorit duke zbuluar edhe më shumë lidhur me këtë personazh të panjohur deri më tani, krahasuar me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin.
"Po kthehem tek inceneratori i Tiranës. Në atë intervistë kam thënë, ndiq paratë. Sot unë kam një besim shumë të palëkundur se, në raport me inceneratorin e Tiranës, Mërtiri është viktimë. Unë kam besimin të konsoliduar se Mirel Mërtiri nuk është më pronari. Ja kanë marrë, e kanë syrgjynosur për t’ia marrë. Pse një biznesmen shqiptaro-zviceran ka 40% të inceneratorit të Tiranës? Është Blerim Hoxha, i ka me letra. Çfarë ka bërë kjo kompani, si i ka marrë dhe si i ka paguar, çfarë lidhjesh ka qeveritarë dhe biznesi në Shqipëri? Çfarë është ky biznesmen? Çfarë lidhjesh, çfarë biznesi ka në Shqipëri? Me kë ka qenë i lidhur, me kë ka bërë transaksione, kush e ka ndihmuar të marrë ARMO-n, çfarë ka bërë me të, si është gjendur ky 40% i inceneratorit të Tiranës. Se është kompania që ka lidhje me garancinë në Dubai, sipas letrave që ka nxjerrë Këlliçi. Unë u habita kur i lexova letrat e Këlliçit dhe po bëja pazëllin, kush qëndron pas këtij njeriu. Këto janë arsyeja pse unë mund të jem kërcënuar dhe do të vazhdoj të kërcënohem edhe pas kësaj interviste. Po, burri njëherë vdes. Kush e ka 40%. Po 20% në parajsat fiskale kush e ka. Mirel Mërtirin e kanë zhdukur nga Shqipëria këta që të them unë për t’i marrë biznesin dhe ia kanë marrë. Mireli tek intervista me ju, ju referua për mua me të drejtë, konceptit të pronarit faktik,"-tha Ahmetaj.
Po gjatë intervistës, Ahmetaj dha edhe shumë pyetje pa përgjigje.
“Çfarë është ky biznesmen? Çfarë lidhjesh, çfarë biznesi ka në Shqipëri? Me kë ka qenë i lidhur, me kë ka bërë transaksione, kush e ka ndihmuar të marrë ARMO-n, çfarë ka bërë me të, si është gjendur ky 40% i inceneratorit të Tiranës?"
Disa prej këtyre pyetjeve, do t'u japë përgjigje ZËRI.
Kush është Besmir Hoxha?
Blerim Hoxha është shtetas Kosovar, ka lindur në Suharekë, Kosovë me 12 prill të vitit 1983 dhe u rikthy në Tiranë përmes kompanisë "ICARE Energy" me bazë në Zvicër. I lartpërmenduri është pronari i “ToksEnergy”, kompania që e çoi ARMO-n në faliment dhe më pas e shiti, për t'u rishfaqur sërish në një tjetër kompani që ka lidhje me naftën. Bëhet fjalë për kompaninë "TRANSNAFTA", ku sipas OpenData rezulton se ka "0.1%" të aksioneve.
"Tosk Energy" është kompania që erdhi në vendin tonë me misionin se do të shpëtonte rafinerinë nga borxhet dhe do të rigjallëronte prodhimin, por i rëndoi edhe më shumë ato, duke lënë pas qindra punonjës të papaguar, rroga që u paguan nga qeveria më vonë. ARMO më pas falimentoi dhe çmontua për skrap. Sot 'Tosk Energy 'është nën sekuestro nga administrata tatimore për shkak të detyrimeve të papaguara në shtet. Por Hoxha kaloi shpejt tek kompania e re, pasi Hoxha, i cili tani shfaqet si pronari i "ICare Energy". Kompania ka një zyrë në "Aba Center", për të cilën gazetari Klodian Tomorri ka shkruar që në prill të vitit 2023.
"Icare Energji e themeluar në Shqipëri, rezulton se ka adresë në qendrën e biznesit Aba Business Center, kati i 7-të. Në fakt, kjo adresë që kompania deklaron në ekstraktin e QKB është gabim, qëllimisht ose jo, kjo ka pak rëndësi. Në katin e 7-të të qëndrës ABA i ka zyrat një tjetër kompani. Adresa e vërtetë e Icare deri pak kohë më parë ka qenë kati i 8-të i ABA Business Center, në të njëjtën zyrë me kompaninë Ballkan Energji, që ka për pronar Skënder Sulaj dhe administrator biznesmenin Besnik Sulaj,"-shkruan Tomorri, teksa permend personazhin e njohur si "Beso i Tajvanit".
Inceneratori i Tiranës ka ndryshuar disa herë pronësi. Skema e pronarëve ka ndryshuar disa herë, ndoshta për të humbur gjurmët, ndoshta ashtu siç the edhe Ahmetaj për t'i marrë ndonjë thelë njëri-tjetrit. Aktualisht pronarët janë tre, italiani Alberto Presezzi ka 40% të aksioneve, 20% në pronësi të një kompanie offshore në "Virgin Island", pjesa më e madhe e të cilës është në dorën e Giuseppe Cafaglione-s, ndërsa 40% tjetër është në pronësi të Blerim Hoxhës me kompaninë "ICARE Energy", një personazh që nuk dihet se nga doli por duke qenë se ligji shqiptar nuk e ndalon ndryshimin e përfituesve dhe pronarëve fundorë ka ndodhur dhe këto ndryshime. Ai thjesht ka gjetur hapësirë dhe ka përfituar nga ligji./ZËRI