
TIRANË- Një ditë pas megaoperacionit “Never Forget” që çoi në pranga 12 persona, mes tyre Klea Gjatën, e cila është e dashura e trurit të bandës Laert Haxhiut, familja e saj pretendon se ka marrë kërcënime.
Nëna e Klea Gjatës duke folur për mediat është shprehur se familja e një prej personave të vrarë ka shkuar dhe i ka kërcënuar menjëherë pas operacionit që u bë publik gjatë ditës së djeshme. Nëna e Klea Gjatës madje ka pretenduar se vajza e saj dhe Laert Haxhiu nuk kanë pasur një bashkëjetesë apo lidhje të konsoliduar së bashku, madje sipas saj, vajza i kishte kthyer mbrapsht një buqetë me lule 31-vjeçarit, të cilën ia kishte dërguar në 8 Mars të këtij viti.
E ëma ka treguar se Klea ka mbaruar universitetin për administrim biznesi.
“Klea ka mbaruar administrim biznesi. Unë atë dritë syri kam. Vajza fle me mua. Jam tepër e shqetësuar, na ndihmo të lutem. Unë atë vajzë kam nuk ka bërë asgjë. Më ndihmo të lutëm. As nuk e ka takuar, vetëm të atin i njoh çunit! Ne kemi parë hallin tonë. Kam turp kam sedër pse ta pësoj ajo që është e drejtë. Unë e \kam frikë atë\ më thoshte që t'i bëj bllok”- tha ajo.
Me Laert Haxhiun, tregon se ka komunikuar vetëm në telefon me të dhe se njeh si fytyre.
‘Në telefon me mua është sjellë mirë ai. Nuk e kam takuar kurrë! Unë e njoh si fytyrë që jepet në media. Nuk e njoh djalin vetë. Kur ishte 8 Marsi i këtij viti i erdhi një buqetë ishte pa emër... Vajza nuk e pranoi buqetën... Se nga i gjeti numrin dhe i tha ta kam sjellë unë buqetën (Laert Haxhiu). I tha ta kam sjellë për shenjë respekti. Vajza tha mos u merr me mua. Kam frikë më 'tha ti bëj bllok'. Shkëputej rrinte dy javë, por e merrte vet ai. Për të bashkëjetuar jo e jo! Kur ka ardhur buqeta me lule jam shtangur, tha nuk e njoh se kush është.’- tha ajo.
Mbrojtje për familjen e Klea Gjatës ka kërkuar dhe avokati mbrojtës Detar Hysi, i cili ka hedhur dyshime në fakt dhe mbi dëshminë e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani.
Hysi ka deklaruar policia dhe prokuroria kanë tejkaluar kompetencat, pasi nuk kanë kryer verifikime dhe konfirmime thëniesh të një të penduari për 3 ditë. Ai ka kërkuar të merren masa ligjore për sigurimin e jetës së qytetarëve, pasi përveç personave të vënë në pranga dhe të shpallur në kërkim, është në lojë edhe jeta e familjarëve të tyre.
-
Rrezikon 8 vite burg! Kjo është Klea Gjata, e dashura e Laert Haxhiut
28 Shtator, 12:30 -
Klea Gjata është vënë në pranga me urdhër të prokurorisë së Elbasanit, pasi akuzohet për dy vepra penale atë të “përkrahjes së autorit të krimit” si dhe “moskallëzimit të krimit”. Ajo dyshohet se ka pasur dijeni pikërisht për vrasjen e Alban Semakut (Elton Mermali), e ndodhur më datë 16.10.2021 2021 (konstatuar në datë 13.06.2021), në qytetin e Peqinit, me autorë të dyshuar pikërisht të dashurin e saj Laert Haxhiun si dhe të penduarin Artan Tafani. Semaku ishte pjesë e bandës së Aldo Bares, dhe njihej po ashtu me nofkën “kinezi”.
Në kuadër të operacionit “Never Forget” që u zhvillua pas dëshmisë së Artan Tafanit, pjesëtar në bandën e Laert Haxhiut, i cili ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, u vunë në pranga 12 persona ndërsa u shpallën në kërkim 4 të tjerë.
6 vrasjet e zbardhura:
Alban Semaku, 17 Tetor 2021
Çajup Selimi, 1 Qershor të 2021
Albi Bashaliu, 27 Dhjetor 2021
Fridmand Xhaferraj, 13 Maj 2021
Lulzim Qorri, 12 Dhjetor 2018 (Athinë)
Dikens Halili, 3 Tetor 2021 (Athinë)
/Zëri.ai