
TIRANË- Artan Tafani ka folur shumë dhe mjaftueshëm për të zbardhur disa ngjarje kriminale në vend, të kryera nga banda e Lushnjes. Vetëm prej dëshmive të tij janë zbardhur 6 vrasje, brenda dhe jashtë vendit, e po shumë ngjarje të tjera kriminale, ku të përfshirë nuk kanë qenë vetëm "djemtë" e bandës së Lushnjes. Mes të arrestuarve është edhe 27-vjeçarja Klea Gjata, nga Lushnja, e cila mendohet se është e dashura e Laert Haxhisë.

E reja ka 2 akuza mbi 'shpinë'. Ajo akuzohet se ka kryer veprën penale: “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Për veprën e parë penale, ajo rrezikon të dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 5 vjet, ndërsa për të dytën, gjobë deri në 3 vjet. Megjithatë ende nuk është e qartë se cili ka qenë roli i saj në grup dhe sa ka ditur ajo në lidhje me veprimtarinë kriminale të të dashurit të saj.
Si u zbardhën 6 vrasjet e bujshme?
Mbrëmjen e së mërkurës, deri paraditen e sotme, Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Never Forget”. Janë zbardhur në total 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 6 vrasje. 6 vrasjet e bujshme janë ato të: Çajup Selimi, Alban Semaku, Albi Bashaliu, Lulzim Qorri, Fridmand Xhaferraj, Dikens Halili. Në total janë lëshuar 15 urdhra ndalimi, nga të cilat janë ekzekutuar 12 ndërsa 3 persona janë shpallur në kërkim. Laert Haxhiu sipas Policisë së Shtetit është organizator dhe porositës i dy vrasjeve në Athinë./Zëri.ai