Aktualitet

Sulmi terrorist, Policia e Kosovës aksion në Veri

Policia e Kosovës njofton se kontrollet po kryhen në koordinim të plotë me EULEX dhe me KFOR-in

D.XH
Sulmi terrorist, Policia e Kosovës aksion në Veri
Policia e Kosovës në aksion

MITROVICË – Policia e Kosovës ka njoftuar se po zhvillon një aksion policor në disa vendndodhje në veriun e vendit. Ky operacion ka lidhje me sulmin terrorist në Banjskë.

Policia e Kosovës njofton se kontrollet janë duke u bërë në koordinim të plotë me EULEX-in dhe KFOR-in. Efektivët e Kosovës mësohet se kanë shkuar pranë një restoranti në veriun e Kosovës, që është në pronësi të bashkëshortes së Radoiçiç.

Efektivët kanë bërë kontrolle në disa banesa dhe në garazhe. Po ashtu, janë zhvilluar kontrolle në disa makaina, që mbanin targa të Serbisë.

“Sot, më datën 29.09.2023 Policia e Kosovës është duke zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente për kontrolle, në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës. Këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë.

Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së).

Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim.

Këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR”, njofton policia.

Ndalohen 4 persona në Leposaviç

Katër persona (një shtetas i Serbisë dhe tre shtetas të Kosovës) janë ndaluar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se ilegalisht kanë hyrë në territorin e Kosovës nga Serbia. Pas verifikimeve, ata janë liruar.

“Fshati Bitricë, Leposaviç. 28.09.2023 – 14:20. Është ndaluar një makinë me targa të Serbisë me shofer mashkull kosovar nën dyshimin se ka hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Fshati Bitricë, Leposaviç. 28.09.2023 – 14:20. Është ndaluar një makinë me targa të Serbisë me shofer mashkull shtetas i Serbisë nën dyshimin se ka hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Fshati Bitricë, Leposaviç. 28.09.2023 – 17:40. Është ndaluar një makinë me targa të Serbisë me shofer mashkull kosovar nën dyshimin se ka hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Fshati Bitricë, Leposaviç. 28.09.2023 – 17:40. Është ndaluar një makinë me targa të Serbisë me shofer mashkull kosovar dhe pasagjerin mashkull kosovar nën dyshimin se kanë hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”

Sulmi terrorist, Policia e Kosovës aksion në Veri
Makinat e sekuestruara nga Policia e Kosovës me targa serbe
Sulmi terrorist, Policia e Kosovës aksion në Veri
Makinë me targa serbe e seekuestruar nga policia e Kosovës

Çfarë ndodhi më 24 shtator?

Të dielën e 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjskë, një sulm terrorist ndodhi ndaj autoriteteve policore të Kosovës. Polici Afrim Bunjaku ndërroi jetë dhe dy të tjerë u plagosën.

Në të gdhirë, Policia e Kosovës bëri thirrje ndaj grupit të armatosur që të dorëzohen, por përgjigja e grupimit ishte me armë zjarri. Në këto kushte, policia qëlloi për vdekje tre terroristë. Në mesin e grupit të armatosur dhe që dyshohet se ka drejtuar grupimin ishte dhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, që thuhet se është plagosur./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB