
ITALI- Një 35-vjeçare e identifikuar si Klodiana Vefa, është vrarë mbrëmjen e djeshme në Firence të Italisë. Gruaja kishte dy fëmijë 14 dhe 17 vjeç dhe ishte me origjinë shqiptare. Prej disa kohësh ishte në Itali dhe kishte një leje qëndrimi të rregullt.
Hetuesit janë vënë në kërkim të bashkëshortit të gruas, i cili është i pagjurmueshëm: duket se të dy nuk jetonin më bashkë dhe nuk kishin asnjë lidhje.
Vrasja tronditi të gjithë komunitetin lokal, siç konfirmoi kryebashkiaku Alessio Falorn. Tragjedia ka ndodhur rreth orës 20:00 të ditës së djeshme, e enjte 28 shtator. Të shtënat me armë u dëgjuan para një klubi Arci në via Galvani. Ishin banorët e zonës ata që ngritën alarmin, por nuk kishte asnjë dëshmitar okular të krimit.
Klodiana është rrëzuar përtokë dhe kur ka mbërritur ndihma, gjendja e saj ka qenë shumë e rëndë, dhe ka humbur jetën gjatë dërgimit në spital.

Sipas një rikonstruksioni fillestar, një burrë po e priste Klodianën dhe ndoshta ka pasur një debat mes të dyve; më pas vrasësi ka nxjerrë armën dhe e ka goditur në kokë 35-vjeçaren.
Pikat e kontrollit u aktivizuan nga policia përgjatë rrugëve të mundshme të arratisjes dhe kërkimet u shtrinë në Valdelsa, zonën e Poggibonsit dhe Empoli. Karabinierët kanë kontrolluar edhe shtëpitë e braktisura të fermave, deri më tani pa asnjë sukses për të vënë në pranga autorin.

Në rrjetet sociale kanë dalë shumë mesazhe ngushëllimi. "Ajo ishte shumë diell, e lezetshme dhe festive, ishte e para që na përshëndeste. Më vjen shumë keq", ishte komenti i Gabriella-s, ndërsa Roberto shkruante: "Nuk e besojmë dot dhe jemi të tronditur nga ky incident i përgjakshëm që ne e përkufizojmë si shumë serioz për qytetin tonë. Solidariteti dhe pjesëmarrja në dhimbjen ndaj familjes na bashkon të gjithëve, besoj. Kam frikë se situata fatkeqësisht po del jashtë kontrollit për shumë arsye." Pista më e besueshme për vrasjen e Klodianës mbetet ajo e krimit brenda familjes, ndërsa nuk dihen ende arsyet që kanë çuar në krizën e çiftit. /Zëri.ai