Aktualitet

Herë si Lame, herë si Veliaj! Gjergji fut në ‘çark’ një tjetër biznesmen, i shpëton për herë të katërt prangave

4 të arrestuarit dhe 2 personat e shpallur në kërkim prezantoheshin te biznesmenët si përfaqësues të zyrtarëve shtetërorë

E.K
Herë si Lame, herë si Veliaj! Gjergji fut në
Florian Gjergji

TIRANË- 4 persona janë vënë në pranga dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi përmes mashtrimit kanë tentuar që ti marrin një biznesmeni shumën prej 70 mijë eurosh. Ata i janë prezantuar biznesmenit në fjalë i përfaqësues të një zyrtari shtetëror. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete dhe 6 aparate celulare.   

Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se në pranga kanë rënë Xhonatan Xhaferri, Leonard Xhika, Petro Ferzaj dhe Mikel Panxhi. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim shtetasit Xhensil Qafa dhe Florian Gjergji, ky i fundit i përfshirë dhe më herët në skema mashtrimi.

Prej fillimit të këtij viti Florian Gjergji është një prej personave më të kërkuar sa i takon skemave të mashtrimit. Policia në disa raste ka zbardhur me prova, se si ai vendoste gjoba ndaj biznesmenëve duke u prezantuar herë si kryebashkiak i Vlorës dhe herë si Erion Veliaj i Tiranës.

Episodi i parë ishte ai i një biznesmeni në Kamzë të cilit i kërkoi 13 mijë euro, ngjarje për të cilën u vunë në pranga 3 persona por jo vetë Florian Gjergji nuk u gjet. Nga arratia emri i tij doli në skenë për po të njëjtën vepër penale. Në 13 shkurt ishte “koka” e mashtrimit të një tjetër biznesmeni, pronar i një kazinoje në Tiranë, të cilit sërish i kërkuan para kamufluar si ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame.

Sërish Gjergji nuk u lokalizua dhe u arrestuan të tjerë që përdorte për të tërhequr paratë. Rasti i tretë është ai ku 39-vjeçari tentoi të mashtronte biznesmenin Ram Geci, pasi i shkruajti në aplikacionin “Signal” duke i kërkuar 100 mijë euro sikur të ishte Erion Veliaj, por sërish nuk ra vetë në grackë.

Në operacionin e sotëm, Gjergji dhe bashkëpunëtorët e tij po ashtu kanë folur në emër të Veliajt, ndërsa biznesmeni që tentuan të mashtronin ishte Aleksandër Gavoçi. 

Njoftimi i policisë:

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 6, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.     

Tentuan të përfitonin një shumë të madhe parash, nëpërmjet mashtrimit, nga një shtetas (biznesmen), duke u prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror, vihen në pranga 4 shtetas.   

Shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, njëri prej tyre i dyshuar organizator i kësaj skeme mashtrimi.      Sekuestrohen 2 automjete dhe 6 celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë dhe DVP Elbasan, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fraud”, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të disa shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin tentuar të mashtronin një biznesmen, për të përfituar shumën 70 000 euro.      

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve Xh. Xh., 24 vjeç, L. Xh., 39 vjeç, M. P., 30 vjeç, të tre banues në Elbasan, dhe P. F., 51 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Q., 27 vjeç, banues në Elbasan, dhe F. Gj., 40 vjeç, banues në Shkdër.  Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një shtetas (biznesmen), për të përfituar shumën 70 000 euro, duke u prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete dhe 6 aparate celulare.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB