Nga flamingot te molotovët...U kap me arsenal në makinë, kush është Fatime Paja, piktorja e furnizonte protestuesit
TIRANË- Një 29-vjeçare është arrestuar nga Policia e Tiranës, e cila shpërndante lëndë piroteknike dhe mjete të forta për protestuesit. Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se 29-vjeçarja Fatime Paja, u lokalizua në rrugën “Qemal Stafa”, në një automjet tip “Fiat”. Brenda automjetit të saj, siç njofton Policia, u gjetën dhe sekuestruan: 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla, 59 tuba metalikë, 2 maska kundragaz, veshje të ndryshme, doreza, maska, kapele, 2 aparate celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Ndërkohë, 2 persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa 29-vjeçarja rezulton një protestuese “Revolucionit flamingo”. Ajo ishte mes artistëve që krijuan figurat e flamingove me të cilat protestuesit marshuan në Tiranë. Madje, gjatë marshimeve, Paja ishte një prej protestuesve që merrte megafonin dhe udhëhiqte thirrjet “Shqipëria nuk shitet!” dhe “Mos e prekni Nartën!”. Fatime Paja, nga Belshi, punon si artiste vizuale, piktore, ilustruese dhe dizajnere grafike.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “DISTRIBUTION OF ELEMENTS”.
Siguronin dhe furnizonin me sende të kundërligjshme pjesëmarrësit në protestën e zhvilluar dje, me qëllim përdorimin e tyre për kryerjen e akteve të dhunshme, vihet në pranga një shtetase dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Sekuestrohen 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 59 tuba metalikë, kapsolla, maska kundragaz dhe sende të tjera.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për sigurimin dhe shpërndarjen e sendeve të kundërligjshme, me qëllim përdorimin e tyre gjatë protestës së datës 28 nëntor, finalizoi operacionin policor të koduar “DISTRIBUTION OF ELEMENTS”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja F. P., 29 vjeçe, e cila u lokalizua në rrugën “Qemal Stafa”, në një automjet tip “Fiat”.
Nga kontrolli i automjetit u gjetën dhe u sekuestruan 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla, 59 tuba metalikë, 2 maska kundragaz, veshje të ndryshme, doreza, maska, kapele, 2 aparate celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 29-vjeçarja, në bashkëpunim me 2 shtetasit e tjerë, I. M., 28 vjeç dhe R. S., 39 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim, siguronin dhe shpërndanin sende të kundërligjshme, për t’ua vënë në dispozicion pjesëmarrësve në protestë, me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Bilanci i protestës së 28 Nëntorit, 'Shëndetësia': 61 të lënduar, protestues, policë, gazetarë dhe 1 deputet
TIRANË- Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka përditësuar të dhënat mbi gjendjen shëndetësore të personave të plagosur gjatë protestës së djeshme, 28 nëntor. Shëndetësia njofton se në dy spitalet kryesore në Tiranë janë paraqitur për ndihmë mjekësore gjithsej 61 persona.
Sipas njoftimit, mes të lënduarve janë efektivë policie, protestues, gazetarë, kalimtarë, punonjës sigurie dhe një deputet. Te Trauma, disa persona vijojnë të marrin trajtime mjekësore, ndërsa në QSUT të lënduarit kanë lënë spitalin.
“Përditësim informacioni mbi të lënduarit gjatë protestës së datës 28 nëntor 2026.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sipas informacioneve paraprake nga strukturat spitalore informon se gjatë protestës së djeshme:
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur për të marrë trajtim mjekësor 50 pacientë, nga të cilët:
17 efektiv policie, njëri prej të cilëve është i shtruar në spital dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
21 protestues, 2 prej të cilëve janë të shtruar në spital dhe po marrin trajtimin e nevojshëm.
Njëri prej të shtruarve është paraqitur me kontuzion i bulbit ocular (jo me trup të huaj në sy ). Po ndiqet në vijimësi nga mjekët e specializuar.
6 gazetarë, 1 prej të cilëve është i shtruar në spital nën kujdesin e mjekëve.
6 kalimtarë, njëri prej të cilëve ndodhet i shtruar në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Të lënduarit e tjerë kanë lënë spitalin, me këshillën e mjekun.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 11 të lënduar:
8 efektivë policie
Një protestues
Një punonjës sigurie
Një deputet
Të gjithë të lënduarit kanë lënë spitalin, me këshillën e mjekut, shkruan Ministria./ZËRI
Protesta e 28 Nëntorit, bilanci i Policisë: 12 të arrestuar, një 18-vjeçar akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj efektivëve (EMRI-VIDEO)
TIRANË- Policia ka arrestuar 12 protestues, ndërsa për 19 të tjetrë ka nisur procedimi penal, në kuadër të protestës së zhvilluar ditën e djeshme. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, të arrestuarit dyshohet se kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba molotov, si dhe kanë bllokuar qarkullimin dhe dëmtuar pronën publike. Uniformat blu njoftojnë se si pasojë e akteve të dhushme të protestuesve, 17 punonjës Policie kanë mbetur të dëmtuar.
Njoftimi i policisë:
Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dëmtuan pronën publike, arrestohen 12 shtetas dhe procedohen penalisht 19 të tjerë.
Gjatë tubimit të djeshëm u dëmtuan 17 punonjës Policie.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
-E. K., 32 vjeç, H. Xh., 18 vjeç, S. A., 53 vjeç, M. D., 47 vjeçe, B. H., 25 vjeç, E. D., 27 vjeç, L. V., 55 vjeç, E. C., 32 vjeç, K. J., 31 vjeç, Y. M., 38 vjeçe, Sh. Ç., 29 vjeç dhe D. Ç., 23 vjeç.
Gjithashtu, u proceduan penalisht 19 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Mes të arrestuarve është edhe një 18-vjeçar, i identifikuar si Andrea Qorraj, i cili është ndaluar pranë ish-hotel “Dajti”. Sipas njoftimit të Policisë, 18-vjeçari ka hedhur koktej molotov në drejt të efektivë që ishin të planizuar në shërbim, duke rrezikuar jetën e tyre. 18-vjeçari akuzohet për disa vepra penale, si: vrasje të punonjësit të policisë, të mbetur në tentativë, goditje për shkak të detyrës, shkatërrim të pronës, etj.
Njoftimi i Policisë:
Hodhi koktej molotov në drejtim të punonjësve të Policisë, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre, arrestohet 18-vjeçari.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore për evidentimin dhe dokumentimin e akteve të dhunshme gjatë protestës së zhvilluar dje, arrestuan në flagrancë shtetasin A. Q., 18 vjeç.
Arrestimi i tij u krye pasi, dje, pranë ish-hotel “Dajti”, hodhi koktej molotov në drejtim të punonjësve të Policisë të planizuar me shërbim, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, mbetur në tentativë, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”./ZËRI