Aktualitet

Valë censure për "Flamingo Revolution"? Repro Uncensored ngre alarmin dhe e çon çështjen në Bruksel

“Repro Uncensored”, organizata që ndjek rastet e censurimit online, asiston përdoruesit në përpjekjet për rikthimin e llogarive të bllokuara dhe promovon aksesin e lirë në informacion, e ka çuar këtë shqetësim në Parlamentin Europian. 

zh.ll

Valë censure për "Flamingo Revolution"? Repro Uncensored

TIRANË- Rastet e bllokimit apo kufizimit të llogarive të gazetarëve, mediave, mes tyre edhe ZËRI, aktivistëve dhe zërave politikë shqiptarë në platformat sociale po marrin një dimension europian.

“Repro Uncensored”, organizata që ndjek rastet e censurimit online, asiston përdoruesit në përpjekjet për rikthimin e llogarive të bllokuara dhe promovon aksesin e lirë në informacion, e ka çuar këtë shqetësim në Parlamentin Europian.  Tashmë, shqetësimet për kufizimin e zërave shqiptarë kanë mbërritur edhe në Bruksel.

Sipas organizatës, çështja është tashmë në vëmendjen e institucioneve të Bashkimit Europian, ku më shumë se 30 eurodeputetë i janë drejtuar Komisionit Europian me kërkesën për të shqyrtuar pretendimet për kufizim të koordinuar të përmbajtjeve dhe llogarive që u përkasin aktivistëve, gazetarëve, mediave dhe aktorëve politikë shqiptarë.

Zhvillimet në Shqipëri, sipas Repro Uncensored, nuk mund të ndahen nga konteksti europian. Shqipëria është vend kandidat dhe ndodhet në negociata për anëtarësim, ku liria e medias, të drejtat themelore dhe standardet demokratike janë pjesë thelbësore e procesit.

Por, shqetësimi kryesor që organizata evidenton nuk është vetëm mbyllja e profileve. Çështja lidhet edhe me mënyrën se si platformat mund të ndikojnë në përmbajtje dhe shtrirjen deri te publiku. Pra, nëse mekanizmat e platformave mund të manipulohen ose të përdoren për të kufizuar në mënyrë të koordinuar shtrirjen e gazetarëve, aktivistëve apo zërave politikë, atëherë problemi prek drejtpërdrejt lirinë e shprehjes dhe debatin publik.

Sipas “Repro Uncensored”, Komisioni Europian ka konfirmuar se hetimi ndaj Meta-s vijon, ndërsa mbeten nën shqyrtim edhe shqetësimet lidhur me fenomenin e “shadoë banning” ndaj zërave politikë. “Shadoë banning”, është fenomi i njohur, ku një llogari ose përmbajtje mund të humbasë ndjeshëm shikueshmërinë pa një bllokim të drejtpërdrejtë. 

Repro Uncensored i ka kërkuar Komisionit Europian që t’i bëjë publike gjetjet e tij, duke kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga platformat.

Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi në Shqipëri, rreth 200 llogari në rrjetet sociale u raportuan të bllokuara në kulmin e protestës. Mes tyre edhe profili i kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili ka deklaruar se llogaria e tij është bllokuar pa një paralajmërim paraprak. Edhe deputetja e pavarur Marjana Koçeku denoncoi mbylljen e një numri të madh profileshm, sipas së cilës bëhet fjalë për llogari të cilat u përkasin aktivistëve, personave të përfshirë në protestë apo profileve që publikojnë materiale rreth saj.

Ndërkohë, vetëm pas gati një muaji, u rihap profili zyrtar i ZËRI-t në TikTok. Rikthimi i ZËRI-t dhe bllokimi i qindra llogarive të raportuara ka në fokus valën e censurës për "Flamingo Revolution"./ZËRI

Poll

MOS HUMB