SHKODËR- Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Qemal Stafa", rreth orës 21:30, në oborrin e banesës së Meti Bushatit.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se persona ende të paidentifikuar kanë hedhur një sasi të vogël lënde plasëse në oborrin e banesës, duke shkaktuar dëme materiale. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar.
Mësohet se Meti Bushati dhe bashkëshortja e tij janë mësues dhe njihen nga banorët e zonës si një familje e rregullt. Por, një nga pistat që po verifikohet nga grupi hetimor lidhet me vëllain e tij, Gëzim Bushatin, i cili jeton në Gjermani. Ky i fundit, sipas burimeve, ka pasur probleme me ligjin në Gjermani.
Megjithatë, mbetet për t'u përcaktuar nëse kjo rrethanë ka lidhje me sulmin ndaj banesës. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin e autorit apo autorëve dhe zbardhjen e plotë të motivit të ngjarjes./ZËRI