Aktualitet

Përplasja për pagat e gjyqtarëve, Pëllumbi: Rama nuk përjashtohet nga përgjegjësia penale

Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Apelit, Engert Pëllumbi, ka deklaruar se edhe kryeministri Edi Rama nuk përjashtohet nga përgjegjësia penale nëse provohet përfshirja në moszbatimin e një vendimi gjyqësor.

M.K.
Përplasja për pagat e gjyqtarëve, Pëllumbi: Rama nuk
Engert Pëllumbi

TIRANË- Përplasja mes sistemit gjyqësor dhe ekzekutivit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi pagat e gjyqtarëve vijon të jetë në qendër të debatit. Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Apelit, Engert Pëllumbi, ka deklaruar se edhe kryeministri Edi Rama nuk përjashtohet nga përgjegjësia penale nëse provohet përfshirja në moszbatimin e një vendimi gjyqësor.

Pëllumbi tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve është detyrues dhe nuk mund të konsiderohet si ndërhyrje e paligjshme në buxhetin e shtetit.

“Gjykata Kushtetuese nuk e hap derën e thesarit në mënyrë të paligjshme. Ajo thjesht ka shpallur antikushtetues uljen e pagave të gjyqtarëve. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqinë e ligjit dhe janë të detyrueshme për zbatim të menjëhershëm”, deklaroi ai.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Rama se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë vetë “derën e thesarit” pa miratimin e Kuvendit, Pëllumbi theksoi se përgjegjësia për moszbatimin e vendimeve i takon organeve kompetente për ta hetuar.

Sipas tij, një zyrtar i lartë që pranon publikisht se ka marrë pjesë në vendimmarrjen për moszbatimin e një vendimi gjykate mund të përballet me përgjegjësi penale.

“Kur një zyrtar i lartë pranon publikisht se ka qenë pjesë e vendimmarrjes për të mos ekzekutuar një vendim gjykate, ai e përfshin veten direkt në sferën e përgjegjësisë penale. Nga kjo përgjegjësi nuk përjashtohet as Kryeministri”, u shpreh Pëllumbi.

Ai shtoi se është prokuroria ajo që duhet të kryejë hetimet dhe të përcaktojë nëse ekzistojnë përgjegjësi penale. Sa i përket SPAK-ut, Pëllumbi tha se ky institucion ka detyrimin të hetojë çdo person ndaj të cilit ekzistojnë dyshime të bazuara.

Në lidhje me kallëzimin e bërë nga gjyqtarët, Pëllumbi tha se në të janë referuar edhe vepra penale si “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pengimi i ekzekutimit të vendimeve të gjykatës”.

Një zhvillim i ri, sipas tij, është regjistrimi i një procedimi penal në Berat. Pëllumbi bëri të ditur se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat ka nisur hetimet pas kallëzimit të punonjësve të administratës së gjykatës, lidhur me moszbatimin e pagave.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat ka regjistruar tashmë një procedim penal mbi bazën e kallëzimit që kanë bërë punonjësit e administratës së Gjykatës. Organi i akuzës është duke kryer të gjitha veprimet përkatëse hetimore për të nxjerrë përgjegjësitë e degës së Thesarit në atë qytet”, deklaroi ai.

Pëllumbi e cilësoi situatën si një krizë të krijuar nga ekzekutivi dhe tha se gjyqtarët nuk po kërkojnë privilegje, por zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese./ZËRI

Poll

MOS HUMB