TIRANË- Një rast që lidhet me mënyrën e llogaritjes së detyrimeve dhe penaliteteve ka rikthyer në vëmendje praktikat e institucioneve financiare në raport me klientët. Në qendër të rastit është një detyrim prej vetëm 200 lekësh, i cili, sipas pretendimeve të bëra publike, është shoqëruar më pas me një tarifë tjetër dhe penalitete për vonesë.
Sipas të dhënave klienti kishte shlyer rreth 220 mijë lekë të reja në detyrime dhe pretendon se pagesat janë kryer në përputhje me këstet e përcaktuara. Pas pagesës, ai është përballur me një shumë të mbetur prej 200 lekësh, ndërsa më pas në llogari është shfaqur edhe një tarifë shërbimi me të njëjtën vlerë.
Problematika që ngrihet lidhet jo me shumën në vetvete, por me mënyrën se si një detyrim minimal mund të mbetet aktiv dhe të shoqërohet me penalitete nëse nuk identifikohet apo nuk shlyhet nga klienti.
Në deklarimet e bëra publike për këtë rast thuhet se klienti ka kërkuar sqarime për detyrimin dhe mënyrën e llogaritjes së tij, ndërsa shqetësimi kryesor lidhet me faktin se një shumë e vogël mund të sjellë detyrime shtesë në rast se nuk konstatohet në kohë. Çështja ngre pikëpyetje mbi transparencën e tarifave, mënyrën e njoftimit të klientëve dhe procedurat që ndiqen kur mbetet një detyrim i vogël pas pagesës së shumës kryesore.
Rasti vendos në fokus edhe rolin e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikëqyrjen e tregut financiar, veçanërisht sa i përket informimit të qartë të klientëve mbi tarifat, kamatëvonesat dhe detyrimet që mund të lindin gjatë një kontrate kredie.



/ZËRI