Aktualitet

Nga bandat e '90, arratisjet, vrasjet te kokaina mes trëndafilave/ Kush është Lulzim Caka, “i tmerrshmi i Beratit” (Saga e krimeve)

Mësohet se Caka është arrestuar bashkë me të birin, në një vilë ku janë zbuluar 2 kg kokainë, kimikate e pajisje paketimi të drogës, një pistoletë dhe një makinë luksoze.

zh.ll
Nga bandat e '90, arratisjet, vrasjet te kokaina mes trëndafilave/
lulzim caka

TIRANË- Lulzim Caka është shqiptari i arrestuar nga autoritetet greke, i dyshuar si kreu i një grupi kriminal shqiptar që trafikoi 84 kilogramë kokainë nga Kolumbia. Sipas mediave greke, sasia e drogës dyshohet se ishte fshehur në shufra plastike të përdorura për trëndafila, me qëllim shmangien e kontrolleve.

Mësohet se Caka është arrestuar bashkë me të birin, në një vilë ku janë zbuluar 2 kg kokainë, kimikate e pajisje paketimi të drogës, një pistoletë dhe një makinë luksoze.

Pas largimit nga Shqipëria, Caka u vendos në Greqi, ku dyshohet se ka përdorur edhe emrin John Franco. 

Lulzim Caka është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe rezulton person i kërkuar në Shqipëri. Ai u lirua në mënyrë të paligjshme nga burgu në vitin 2019, ndërsa në atë kohë vuante një dënim prej 25 vitesh burgim për vepra të rënda penale. Gjykata greke e kishte konsideruar të gabuar kërkesën e Shqipërisë dhe nuk pranonte ta ekstradonte.

Kush është Lulzim Caka? (Aktiviteti kriminal)

Lulzim Caka është njohur prej vitesh si një nga personazhet e botës së krimit në Shqipëri. Ai njihet edhe si i “i tmerrshmi i Beratit”, një ngë krerët e bandave që ka vepruar gjatë viteve 1995-2000, kryesisht në zonën e Beratit, Fierit dhe Lushnjës.

Ngjarjet kriminale në emër të Cakës datojnë që në vitin 1995, ku në gjendje të dehur u konfliktua me pronarin e një lokali në fshatin Suk të Fierit. Për këtë ngjarje, ai u arrestua, por u arratis nga qelia për 48 orë.

Një vit më vonë, në vitin 1996, emri i tij do të përfshihej në një tjetër ngjarje të rëndë. Caka, së bashku me të ashtuquajturin “Loshin e Karbunarës”, dyshohet se ishte një prej autorëve të një atentati ndaj dy drejtuesve të botës së krimit në Berat dhe Kuçovë, në zonën e Urës së Samaticës. Oficerët e policisë arritën t’i shpëtonin atentatit, ndërsa autorët dogjën automjetin me të cilin udhëtonin efektivët pas sulmit.

Në vitin 1998, Caka vrau Lulëzim Eminin, vëllain e “Miles”, të fortit të Fierit dhe u dënua edhe me 25 vjet burg. Ndërkohë, në 2001, ai arriti të priste hekurat nëpërmjet një sharre dhe u largua nga qelia për t’u hakmarrë për përdhunimin dhe vrasjen e nënës së tij, Xhevries 56-vjeçare dhe vëllait Bardhoshit.

Po në 2001, ai i shpëtoi një operacioni të policisë në fshatin Samaticë, vendlindjen e tij. Ndërsa në mars të po këtij viti, ai vrau dy personat e dyshuar për vrasjen e vëllait, Valter Bega 21 vjeç dhe Maringlen Cami 22 vjeç. Pasi fiku dritat e të gjithë fshatit Samaticë, Caka qëlloi ndaj dy të rinjve të fiseve rivale.

Disa muaj më vonë, në dhjetor të 2001, Caka u arrestua rastësisht në një operacion për emigrantët e paligjshëm në Foxhia të Italisë. Një sinjalizim anonim, i lajmëron policët italianë për rëndësinë e personit të arrestuar.

Në mars 2002, përfundojnë procedurat e ekstradimit dhe mbërrin në Rinas. Duhej të kryejë dënimin prej 25 vitesh burgim. Caka u soll në Shqipëri në vitin 2003, pas një marrëveshjeje ekstradimi me Italinë.

Në dhjetor të vitit 2012, Caka u dënua me 25 vite burgim nga Gjykata e Apelit të Vlorës, pasi u shpall fajtor për tentativën e vrasjes së Gani Malushit dhe Ilir Ngresit. Por, në korrik të 2019, ai u lirua nga qelia.

Lirimi i Lulzim Cakës solli shkarkimin e drejtorit të burgut në Kosovë të Lushnjës dhe juristit të institucionit, ndërsa nisi një hetim për gjyqtarin që dha vendimin e lirimit të Lul Cakës. Sakaq, Caka u shpall sërish në kërkim nga Policia me argumentin se lirimi i tij ishte bërë padrejtësisht dhe se duhet të kthehej në qeli për të shlyer vitet e dënimit që i kishin mbetur.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, në shtator 2026, emri i tij do të dilte sërish në skenë pas një operacioni antidrogë i realizuar në Greqi, ku në një ngarkesë me trëndafila të freskët, të ardhur nga Kolumbia, autoritetet greke dhe agjentët amerikanë të DEA-s zbuluan një sasi prej rreth 84 kilogramës kokainë. Gjatë operacionit u arrestuan edhe 6 persona, mes të cilëve edhe shqiptarë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB