Aktualitet

Operacioni i SPAK/ Burg për pronarin e 'Top Seven' e Orest Sotën, lirohet Gëzim Islami, jep 100 mijë euro garanci

Gëzim Islami është liruar kundrejt garancisë pasurore prej 100 mijë euro, për arsye shëndetësore.

F.I
Operacioni i SPAK/ Burg për pronarin e 'Top Seven' e Orest
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën "arrest në burg" për Orgest Birçajn, Dritan Agën dhe Orest Sotën, të arrestuar në kuadër të operacionit të SPAK kundër dy grupeve të dyshuara të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave. Ndërkohë Gëzim Islami është liruar kundrejt garancisë pasurore prej 100 mijë euro, për arsye shëndetësore.

Ata akuzohen nga SPAK si pjesë e rrjetit kriminal që dyshohet se trafikoi mbi 6.7 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt porteve të Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian.

Orgest Birçaj, pronar i kompanisë "Top Seven", sipas SPAK dyshohet se organizonte dërgimin e punëtorëve shqiptarë drejt laboratorëve të kokainës në Ekuador përmes agjencisë së tij të udhëtimeve. Ndërsa Orest Sota, në dosjen hetimore siguruar nga ZËRI, del në komunikime me Alfredo Hamzain, lidhur me lëvizjen e shumave të mëdha të parave dhe interesimin për investime në pasuri të paluajtshme. 

Operacioni i zhvilluar më 12 qershor çoi në lëshimin e 20 masave të sigurisë. Mes personave të përfshirë në hetim janë edhe biznesmeni Ilir Shtufi, i arrestuar në Greqi, si dhe Artur Shehu, i shpallur në kërkim. Po ashtu në kërkim janë Erion Rama dhe vëllai i tij Adriani, nipat e Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”. Grupi kriminal i vëllezërve Koçeku, i drejtuar nga Luçiano alias Artur Koçeku, vëllain e tij Abedin Koçeku dhe të tjerë anëtarë të familjes janë mes personave që është vendosur masa e sigurisë. Sipas SPAK, fitimet e krijuara nga trafiku i drogës janë investuar më pas në kompani ndërtimi, prona të paluajtshme dhe aktivitete të tjera ekonomike.

Gjatë operacionit u sekuestruan pasuri të shumta, përfshirë vila dhe apartamente, llogari bankare, automjete luksoze, mjete lundruese, si dhe aksione në shoqëri tregtare, të dyshuara si të financuara nga aktiviteti kriminal.

Poll

MOS HUMB