Aktualitet

Kokainë në Evropë e pastrim parash në Shqipëri, 4 të arrestuarit dalin para GJKKO, Orest Sota: Nuk ka prova

Në dosjen hetimore siguruar nga ZËRI, Orest Sota del në komunikime me Alfredo Hamzain, lidhur me lëvizjen e shumave të mëdha të parave dhe interesimin për investime në pasuri të paluajtshme.

F.I
Kokainë në Evropë e pastrim parash në Shqipëri, 4
Orest Sota

TIRANË-Të arrestuarit nga megaoperacioni i SPAK kundër kullave dhe pastrimit të parave në vend kanë dalë para Gjykatës së Posaçme për vlerësim të masës së sigurisë. Mësohet se para trupës gjykuese kanë dalë Orest Sota, Orgest Birçaj, Dritan Aga dhe Gëzim Islami. 

Biznesmeni Orest Sota ka kërkuar lirimin nga burgu. Sota dyshohet për veprat penale "Trafikimi i narkotikëve", "Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale", "Grup i strukturuar kriminal" dhe " Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal". Përmes avokatit mbrojtës i ka kërkuar gjykatës caktimin e një mase më të lehtë sigurie, duke pretenduar se nuk ka prova që e lidhin me veprimtarinë kriminale që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme.

Në dosjen hetimore siguruar nga ZËRI, Orest Sota del në komunikime me Alfredo Hamzain, lidhur me lëvizjen e shumave të mëdha të parave dhe interesimin për investime në pasuri të paluajtshme. Komunikimet janë pjesë e dosjes voluminoze që dokumenton aktivitetin e personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash. 

Në prill të këtij viti, Sota u paraqit në Prokurorinë e Posaçme ku qëndroi për pesë orë, duke dhënë shpjegime për hetimet që po zhvillohen në kundër të AKSHI-t dhe njohjet me biznesmenin Ergys Agasi, ndërsa vite më parë u arrestua teksa transportonte 860 mijë euro.

Të arrestuarit akuzohen nga SPAK si pjesë të rrjetit kriminal që dyshohet se trafikoi mbi 6.7 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt porteve të Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Mes emrave të përfshirë janë edhe biznesmeni Ilir Shtufi, i arrestuar në Greqi, si dhe Artur Shehu, i shpallur në kërkim. Në kërkim janë Erion Rama dhe vëllai i tij Adriani, nipat e Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”. Po ashtu grupi kriminal i vëllezërve Koçeku, i drejtuar nga Luçiano alias Artur Koçeku, vëllain e tij Abedin Koçeku dhe të tjerë anëtarë të familjes janë mes personave që është vendosur masa e sigurisë. Sipas SPAK, fitimet e krijuara nga trafiku i drogës janë investuar më pas në kompani ndërtimi, prona të paluajtshme dhe aktivitete të tjera ekonomike.

Poll

MOS HUMB