Aktualitet

SKEMA/ Nga 5.800 në 32 mijë m², si ‘u fry’ sipërfaqja e pronës së Artur Shehut në Zvërnec, roli i punonjëses së Arkivit të Shtetit

Sipas dosjes hetimore, dokumenti i paraqitur në AKKP i njohur si "Regjistri Daimi i vitit 1318", ishte përkthyer nga Muço në një mënyrë që krijonte përshtypjen se përmbante të dhëna pronësie për Seit Shehun.

F.I
SKEMA/ Nga 5.800 në 32 mijë m², si ‘u fry’
Artur Shehu

TIRANË- SPAK shpalli 20 masa sigurie në kuadër të një operacioni kundër një grupi kriminal që merrej me trafik narkotikësh dhe pastrim parash. Mes personave të shpallur në kërkim është edhe Artur Shehu, i njohur gjithashtu si poseduesi kryesor i tokave në Zvërnec. Në dosjen hetimore, siguruar nga ZËRI evidentohet mënyra se si janë tjetërsuar sipërfaqe të mëdha toke në Zvërnec, duke kaluar nga trashëgimtarët tek vetë Artur Shehu.

Në dosjen hetimore prona është tjetërsuar duke iu shtuar në dokumente sipërfaqja nga 5.800 m² në 32.000 m², me një shtesë prej 26.200 m². Ekspertiza tekniko-topografike ka konstatuar se sipas dokumenteve arkivore dhe hipotekore, prona ka një sipërfaqe reale prej 5.800 m². Prona është regjistruar fillimisht në emër të trashëgimtarëve dhe më pas është transferuar te Artur Shehu, me kontratë shitjeje për vlerën 480 milionë lekë.

"Ka rezultuar se planimetria që shoqëron vendimin nr. 960, datë 08/05/2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është përgatitur për një sipërfaqe prej 5800 m² dhe është paraqitje reale sipas dokumenteve hipotekorë. Ndërsa planvendosja që shoqëron vendimin nr.2038, datë 24/07/2008 nuk është e saktë dhe reale, pasi prona sipas dokumenteve hipotekorë është 5800 m², kurse në planvendosje prona është paraqitur me sipërfaqe prej 32.000 m², pra me një sipërfaqe më të madhe prej 26200 m² me shumë se sa është pasqyruar në dokumentin hipotekorë. Rezulton se pasuria e kthyer përmes vendimit nr.133, datë 25/06/2009 të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Qarku Vlorë është regjistruar pranë ZVRPP Vlorë. Fillimisht pasuria është regjistruar në regjistrat hipotekor, e konkretisht në nene 425 të vitit 2009 ku është pasqyruar regjistrimi i sipërfaqes prej 32.000 m² në favor të shtetasve Kutbi Shehu, Merjeme Shehu dhe Ramiz, Shehu. Rezulton se pasuria e mësipërme është pasqyruar edhe në kartelat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme e konkretisht e gjithë pasuria prej 32.000 m² është regjistruar më datë 31/01/2011, në Z.K. 8602, nr. 41/109, vol. 48, faqe 159, me sipërfaqe 32.000 m², në favor të shtetasve Kutbi Shehu, Merjem 34/92 Ramiz Shehu Kio pasuri është regjistruar mbi bazën e referencës nr. 00014877, datë 31/01/2011,"-thuhet në dosjen hetimore.

Një rol kyç në tjetërismin e pronave në Zvërnec ka pasur edhe përkthyesja Entela Muço, punonjëse në Arkivin Qendror të Shtetit. Konkretisht bëhet fjalë se Muço dyshohet se ka përkthyer gabim një vendim gjykate nga osmanishtja e vjetër, çka ka sjellë probleme pronësie në Zvërnec të Vlorës.

Sipas dosjes hetimore, dokumenti i paraqitur në AKKP i njohur si "Regjistri Daimi i vitit 1318", ishte përkthyer nga Muço në një mënyrë që krijonte përshtypjen se përmbante të dhëna pronësie për Seit Shehun.

Vetë punonjësja e Arkivës ka mohuar të ketë kryer apo nënshkruar dokumentin dhe në vitin 2015 pasi iu kërkua ta përkthente sërish dokumentin, rezultoi se ai nuk përmbante të dhëna pronësie për Seit Shehun. Gjykata arriti në përfundimin se dokumenti pasqyronte të dhëna të pavërteta. Sipas dosjes, ky përkthim u përdor në procedurat për njohjen dhe regjistrimin e pronës, duke i hapur rrugë procesit që çoi në përfitimin e sipërfaqeve nga Shehu në zonën e Zvërnecit.

 Pjesë nga dosja:

Entela Muço (e cila rezulton përkthyese e versionit të paraqitur nga paditësi në AKKP dhe Gjykatë) e pyetur gjatë hetimeve ka mohuar të ketë përkthyer dhe nënshkruar përkthimin e këtij dokumenti dhe pasi i është kërkuar që të bëjë dhe një herë përkthimin ajo ka kryer një përkthim sipas të cilit ky dokument nuk përmban të dhëna pronësie për Seit Shehun. Si rrjedhim i kësaj, gjykata çmon se përmbajtja e dokumentit "Regjistri Daimi i vitit 1318 Nr.Rendor 47" e nxjerrë nga Arkivi Qendror Shtetëror me shkresën nr.2195/3 dt.27.03.2007 nxjerrë nga F.126, V.1318, D.17, fl.137-139 paraqitur nga paditësi edhe në këtë gjykim edhe në AKKP, por dhe gjatë Vërtetimit të faktit juridik me Vendimin nr.2090 dt.30.07.2008 të Gjykatës Vlorë nuk duhet të vlerësohet si i vërtetë dhe nuk merret parasysh si provë.

Pala paditëse ka bërë dy vendime të ndryshme për vërtetimin e faktit juridik të pronësisë së ish-pronarit Seit Shehu në fshatin Zvërnec Vlorë të cilat mbivendosen me njëri-tjetrin.

Vendimi i parë i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorënr.2762, dt.27.12.2005 ka vërtetuar faktin juridik të pronësisë për pesë parcela të ndryshme tokë të cilat janë cituar në këtë vendim (shih dispozitivin e vendimit) të ndodhura në Zvërnec dhe që ndodhen brenda kufizimeve të përcaktuara në Vendimin e Gjyqit të Paqit Vlorë të vitit 1937 me kufizimet; Veri-Dalani i Peshkut. Jug-Kullota e Protonovës, Lindje- Ngjoli, Perëndimi-Deti. Vendimi i dytë i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, nr.2090, datë 30.07.2008, "vërtetimit të faktit juridik të pronësisë në emër të ish-pronarit Seit Shehut dhe vendndodhjes së saj" për sipërfaqen e përgjithshme prej 2400 vreten ose e konvertuar ka rezultuar 300 ha të ndodhur në veri-perëndim të fshatit Zvërnec, Vlorë me kufij: Veri-Dalani i Peshkut, Jug-Kullota e Protonovës, Lindje-Ngjoli, Perëndim-Deti, këtu sipërfaqja e përgjithshme sipas dokumentit ligjor.

 Gjatë këtij gjykimi pala paditëse ka paraqitur dhe është administruar si provë edhe "Regjistri Daimi i vitit 1318 Nr.Rendor 47" i nxjerrë nga Arkivi Qendror Shtetëror me shkresën nr.2195/3 dt.27.03.2007 nxjerrë nga F.126, V.1318, D.17, fl.137-139 Vlorë për të cilin gjykata arsyetoi më lart arsyet përse nuk mund të merret parasysh si provë dhe pasqyron të dhëna të pavërteta. Edhe grupi i ekspertëve provoi para gjykatës me përgjigjet e datës 12.03.2013 vihet re se në të dy vendimet gjyqësore ka një mbivendosje e cila përkon me sipërfaqen prej 127.41Ha e cila është trajtuar dhe me Vendimin nr.200 datë 05.07.2006 të Komisionit të Kthimit të Pronave Qarku Vlorë në favor të paditësve.

Poll

MOS HUMB