Aktualitet

Arrestohet në Borsh Moisi Habilaj, Policia ndan pamjet: Do të ekstradohet drejt Italisë, në pranga edhe një 46-vjeçar

Gjykata e Posaçme e dënoi më 28 janar 2026, me 15 vite burg Moisi Habilajn, si drejtues i një grupi kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës

F.I
Arrestohet në Borsh Moisi Habilaj, Policia ndan pamjet: Do të
Moisi Habilaj

BORSH-Moisi Habilaj është arrestuar në Borsh gjatë një operacioni të zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit, mbërmjen e djeshme (13 qershor). Habilaj, i akuzuar për trafik droge u lokalizua në një beach bar në pronësi të familjarëve të tij, ku qëndronte prej kohësh.

Policia njofton se 48-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku Gjykata e Katanias, e ka dënuar me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Blutë njoftojnë se së bashku me Habilajn, është vendosur edhe Eduard Ahmeti, 46 vjeç, i cili akuzohet për përkrahje të autorit të krimit.

Blutë njoftojnë se ndaj Habilajt u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me vendim të vitit 2018, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Njoftimi i policsë:

Finalizohet operacioni policor i koduar "Metodat", për kapjen e një personi të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Kapet dhe arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar nga autoritetet italiane me mbi 12 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe në përdorimin e metodave speciale të hetimit për zbulimin dhe lokalizimin e një personi shumë të kërkuar nga autoritetet italiane, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, u bë i mundur lokalizimi në një lokal në Borsh, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit Moisi Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë e Vogël, Vlorë.

Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin nr. 192, datë 26.12.2018, të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Gjykata e Posaçme e dënoi më 28 janar 2026, me 15 vite burg Moisi Habilajn, si drejtues i një grupi kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës. Habilaj është shpallur fajtor për trafikim droge në 4 episode gjatë viteve 2013-2017 në Shqipëri dhe Itali. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ndaj tij u ul në 10 vite heqje lirie. 

Ndërkohë, Nezar Seiti, i cilësuar si ‘financieri’ i grupit Habilaj, u dënua me 12 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar duhet të kryej 8 vite heqje lirie. Lidhur me akuzat për trafik droge, është pushuar çështja për Fatmir Minajn e Maridian Sulajn./ZËRI

Poll

MOS HUMB