FIER- Ergys Agasi u transferua më 29 tetor nga burgu i Bradasheshit në burgun e Fierit. Mësohet se në këtë institucion të vuajtjes së dënimit, Agasi nuk do të jetë vetëm, pasi aty ndodhet një person i njohur për të.
Bëhet fjalë për Uljan Shpatarakun, ish-oficerin e policisë dhe mikun e tij të ngushtë, i cili madje, tentoi ta ndihmonte Agasin t’i shpëtonte operacionit të BKH-së në gusht të këtij viti. Shpataraku ndodhej në makinë me Agasin në momentin e arrestimit të këtij të fundit.
Në dëshmitë e tij para autoriteteve, Shpataraku pretendonte nuk e njeh Ergys Agasin, dhe sipas tij e ka takuar rastësisht në rrugën e vjetër të Elbasanit, të cilin e ka marë në makinë pasi i ka bërë autostop dhe se sipas tij, personi kur ka hipur në makinë i është prezantuar me emrin "Berti".
Por pretendimi i tij rrëzohet, pasi në pamjet e dronit që mbante nën monitorim Agasin, Shpataraku me mjetin tip Audi A6 i ka shkuar tek vila në Shkozet dhe më pas kanë dalë të dy dhe janë nisur për në Elbasan. Sa i përket raportit, Shpataraku ka deklaruar se nuk është i saktë.
Ergys Agasi u arrestua pasditen e 26 gushtit, ndërsa umëngjesin e 29 gushtit u transferua drejt ambienteve të paraburgimit të Bradasheshit, deri paraditen e 29 tetorit. Biznesmeni ishte shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i grupit të strukturuar kriminal, që qëndronte në krye të skemës së abuzimit me tenderat e AKSHI-t. Agasi akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ndërsa iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit pasiv’. /ZËRI