TIRANË-Një 53-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë pasi po përgatitej për të kryer një vjedhje banese në Farkë. Sipas policisë, shërbimet e Komisariatit Nr. 1 ndërhynë në kohë dhe e kapën në flagrancë shtetasin A. K., banues në Durrës, në momentin që po tentonte të futej në banesë.
Gjatë kontrollit, atij iu gjet një armë zjarri pistoletë me municion, si dhe mjete që dyshohet se përdoren për vjedhje, përfshirë kaçavida, pinca, doreza, maskë dhe kapele. Blutë njoftojnë se 53-vjeçari, më 31 maj 2026 dyshohet se ka vjedhur para në një banesë në Farkë, ndërsa më 5 qershor 2026 dyshohet se ka tentuar një tjetër vjedhje.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugina e Errët.
Po përgatitej për të kryer një vjedhje banese në Farkë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 53-vjeçari.
53-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal për krime kundër personit dhe pronës.
Sekuestrohen armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe mjete të dyshuara për kryerje vjedhjesh.
Zbardhen edhe 2 raste të tjera vjedhjesh/tentativash për vjedhje banesash, të dyshuara të kryera nga i arrestuari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe armëmbajtjes pa leje, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lugina e Errët”.
Si rezultat i operacionit u bë i mundur identifikimi, kapja në flagrancë dhe arrestimi i shtetasit A. K., 53 vjeç, banues në Durrës i cili po përgatitej të hynte për të vjedhur në banesën e një shtetasi. Ai u lokalizua dhe u kap ne flagrance nga shërbimet e Policisë.
Gjatë kontrollit iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me një krehër me municion, dy kaçavida, një palë pinca, dy kapele, një maskë e zezë, një palë doreza dhe një shumë parash.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 53-vjeçari dyshohet të jetë autor edhe i dy rasteve të tjera të vjedhjes/tentativës për vjedhje banesash,po në zonën e Farkës. Konkretisht, më datë 31.05.2026 dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në banesën e shtetasit A. S., ndërsa më datë 05.06.2026 dyshohet se ka tentuar të vjedhë në banesën e shtetasit K. B.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.