LEZHË-Gjykata e Lezhës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për pushimin e çështjes penale ndaj tre personave të dyshuar për përplasjen me armë zjarri në Rrilë, ngjarje e ndodhur më 6 mars 2024, ku mbeti i plagosur Agron Puka. Vendimi është marrë nga gjyqtari Lirim Bulica, i cili ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Lezhës për pushimin e procedimit penal ndaj Vinçens Tukut, Kevin Ndokës dhe Amarildo Kola (Ndreca).
Në kërkesën e Prokurorisë thuhej se nuk janë siguruar prova që implikojnë në ngjarje, Vinçens Tukun, Kevin Ndokën dhe Amarildo Kola (Ndreca), të cilët pas përplasjes ishin proceduar dhe shpallur në kërkim. Tre personat ishin nën hetim për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
NJOFTIMI:
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 53-2026-2373, datë 09.09.2026, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur:
Pushimin e akuzës ndaj Vinçens Tuku, Kevin Ndoka dhe Amarildo Kola (Ndreca) për akuzën e “Vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim, mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtjen pa leje të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
* Shuarjen e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj këtyre personave te caktuara me vendimin nr. 690-120, datë 09.03.2024 dhe vendimin nr. 3014-523, datë 11.10.2024.
Ngjarja u regjistrua më 6 mars të vitit 2024, ndërsa Agron Puka u plagos pasi persona të armatosur qëlluan në drejtim të tij pasi ai la fëmijët në shkollë, në fshatin Rrilë të Lezhës. Nga hetimet rezultoi se edhe Puka iu përgjigj të shtënave, duke qëlluar me armë zjarri. Por, në deklaratën e tij para policisë, 54-vjeçari Puka tha se edhe ai kishte qëlluar për vetëmbrojtje, pasi tre persona i kishin zënë pritë. Pas ngjarjes, në pranga përfundoi Amarildo Kola, si dhe vetë i dëmtuari në ngjarje për shkak se kishte një armë pa leje, por ky i fundit u la u lirë në korrik të po atij viti. Shkak për pritën u zbulua se ishte një përplasje që kishin pasur më parë palët për motive të dobëta./ZËRI



