GREQI-Një arratisje që i ngjan një skene filmi ka ndodhur mbrëmjen e së premtes 11 shtator në Greqi, gjatë transferimit të një të burgosuri nga Burgu i Nigritës drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serres. Mediat greke raportojnë se një i burgosur shqiptar 41 vjeç është arratisur teksa ndodhej në spital ku në oborr e prisnin du automjete të tjera si ato të Policisë.
Teksa automjeti ku ndodhej i burgosuri mbërriti në ambjentet e spitalit, në vendngjarje u shfaqën dy automjete me drita që ngjanin me makina policie. Personat që ndodheshin në to iu afruan automjetit të burgut dhe, nën kërcënimin e armëve, neutralizuan eskortën e burgut.
Gjatë arratisjes, ata dyshohet se morën edhe armën e shërbimit të një prej punonjësve të burgut. I arratisuri është një shtetas shqiptar 41-vjeçar, i cili ishte arrestuar vitin e kaluar nga oficerët e Krimit të Organizuar, i dyshuar për tentativë vrasjeje në Selanik.
Sipas informacioneve, 41-vjeçari dyshohej gjithashtu për përfshirje në raste të lidhura me armët dhe trafikun e drogës. Pas arratisjes, autoritetet greke nisën një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e shqiptarit dhe personave të armatosur që organizuan dhe realizuan arratisjen. Ndërkohë, vijojnë hetimet për të zbardhur mënyrën se si u organizua ndërhyrja dhe identitetin e personave që morën pjesë në të.