TIRANË-Një shpërthim me tritol është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Bathore. Lënda eksploziv ka shpërthyer në derën e banesës në pronësi të shtetasit Mariglen Lala, 36 vjeç. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar dhe si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, ku një prej pistave është e shkuara e Mariglen Lalës. 36-vjeçari është liruar nga burgu pak kohë më parë, pas përfitimit nga amnistia e fundit penale. Lala rezulton të jetë dënuar më herët për një sërë veprash penale, mes tyre vjedhje, plagosje dhe mashtrim.
Shpërthimi me tritol në derën e banesës së tij ndodhi rreth orës 03:35 në rrugën “Rozafa”, në Bathore.
Njoftimi i policisë:
Më datë 12.09.2026, rreth orës 03:35, në rrugën “Rozafa”, në Bathore, ka shpërthyer një sasi e vogël lënde e dyshuar plasëse, e vendosur në portën e banesës së shtetasit M. L., rreth 36 vjeç.
Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.